Deputeti i Partisë Demokratike, Besart Xhaferri ka reaguar përmes një postimi në rrjetet sociale për plagosjen e një 15-vjeçari në Durrës.
Xhaferri shkruan se kjo ngjarje vjen vetëm pak ditë pas publikimit të raportit të KLSH-së për sigurinë në shkolla, që tregonte se konfliktet nuk raportoheshin.
Ai shton më tej se auditimi i KLSH-së, evidentonte se oficerët e sigurisë nuk zhvillojnë kontrolle fizike të nxënësve ose të mjediseve dhe se dhuna dhe bullizmi janë në nivele alarmante në institucionet publike.
Postimi i plotë:
Plagosja me thikë në zemër e gjimnazistit në Durrës e paralajmëruar, alarmi i KLSH për (pa)sigurinë në shkolla ra në vesh të shurdhër!
Kur kanë kaluar vetëm disa ditë nga publikimi i raportit të KLSH-së për sigurinë në shkolla, i cili ekspozonte faktin se konfliktet nuk raportoheshin, sot u shënua ngjarja e radhës në një shkollë në Durrës.
Një gjimnazist i shkollës së mesme “Dom Nikoll Kaçorri” në Durrësin e Ri është goditur me thikë në zemër nga një bashkëmoshatar i tij, pas një sherri të mbartur që nisi nga një koment në rrjetet sociale vijoi me një përballje mes dy gjimnazistëve brenda shkollës dhe që përfundoi në përplasje me thika.
Kjo ngjarje konfirmon edhe njëherë alarmin se siguria në shkolla është një çështje sensitive dhe se prindërit e arsimtarët duhet të ndërgjegjësohen se kjo çështje nuk zgjidhet as me propagandë, as duke fshehur të dhënat.
Raporti i KLSH-së për sigurinë në shkolla, i publikuar pak ditë më parë, evidentonte se oficerët e sigurisë janë thjesht për fasadë, se dhuna dhe bullizmi janë në nivele alarmante në institucionet tona publike dhe se të dhënat censurohen.
Projektin e qeverisë “Shkolla të Sigurta”, KLSH-ja e ka cilësuar një dështim, pasi nuk ka arritur të garantojë një mjedis realisht të mbrojtur për nxënësit.
Auditimi i KLSH-së evidentonte se, pavarësisht udhëzimeve të qarta, oficerët e sigurisë nuk zhvillojnë kontrolle fizike të nxënësve ose të mjediseve, me përjashtim të rasteve sporadike.
Koha është që për çështjen e sigurisë në shkolla, MAS-i dhe zyrat arsimore të mbajnë përgjegjësi dhe të japin llogari.







