Ballina Kosovë Punëtorët e RTK-së tre muaj pa paga, Sindikata paralajmëron bojkot të plotë...

Punëtorët e RTK-së tre muaj pa paga, Sindikata paralajmëron bojkot të plotë të punës

19
0

Situata në Radio Televizionin e Kosovës po përkeqësohet teksa punëtorët kanë hyrë në muajin e tretë pa marrë pagat e tyre.

Në një komunikatë të lëshuar sot, Sindikata e Punëtorëve të RTK-së (SPERTK) ka bërë të ditur se institucionet po i injorojnë kërkesat e punonjësve, ndërsa gjendja e tyre sociale dhe funksionimi i transmetuesit publik po rëndohen çdo ditë e më shumë.

Sindikata ka bërë të qartë se greva nuk do të ndalet, duke kërkuar mbështetje të plotë nga të gjithë punëtorët e mediumit.

Ajo paralajmëroi se brenda kësaj jave do të marrë qëndrim për bojkot të plotë të punës, përfshirë ndaljen e mbulimit të ngjarjeve politike dhe të fushatës elektorale.

“Po hyjmë në muajin e tretë pa paga. Institucionet po na injorojnë plotësisht, ndërsa gjendja e punëtorëve dhe vetë transmetuesit publik është e rënduar në skaj,” thuhet në komunikatë.

Sindikata pyet se “Si është e mundur të gjenden para për zgjedhje, e të mos gjenden për bukën e gojës së 700 familjeve?”

SPERTK i ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës të zgjidhë urgjent problemin e alokimit të buxhetit, duke theksuar se ajo është njoftuar “dhjetëra herë” për këtë situatë, por pa përgjigje.

Sipas sindikatës, pas konstituimit të legjislaturës së re, duhet të miratohet pa vonesë ligji për financimin e pavarur të RTK-së dhe të adresohet çështja e pronës, për të garantuar funksionim të qëndrueshëm të transmetuesit publik.

Në komunikatë theksohet gjithashtu se, ndonëse buxheti i RTK-së është më i vogli në rajon për televizionet publike, “jo vetëm që nuk kemi marrë rritjen 0.7% nga buxheti nacional, por na janë hequr edhe 2.2 milionë euro nga buxheti”.

Sindikata ka njoftuar menaxhmentin se kërkon zyrtarisht ndërprerjen e mbulimit të ngjarjeve politike dhe të fushatës elektorale, përderisa nuk ka një vendim nga qeveria. Vendimi përfundimtar pritet në fund të kësaj jave, me mundësinë që bojkoti të hyjë menjëherë në fuqi.

Greva në RTK ndërkohë vazhdon pa afat.