Drejtoria Rajonale e Monumenteve të Trashëgimisë Kulturore në Gjirokastër ka kryer monitorim në terren për të vlerësuar gjendjen e objekteve monument kulture pas reshjeve të ditëve të fundit.
Specialistët janë fokusuar veçanërisht te urat e vjetra, si ura e Kordhocës, ajo e Becishtit dhe disa struktura të tjera të ndjeshme, të cilat kërkojnë vëzhgim të vazhdueshëm për shkak të moshës dhe rëndësisë së tyre historike.
“Kemi mbajtur në monitorim urat, sepse reshjet e dendura të shiut dhe rritja e prurjeve të lumenjve Drin apo Vjosë kanë sjellë mundësinë e rrezikshmërisë në disa prej urave monument kulture, siç është ura e Kordhocës apo edhe ura e Becishtit në Tepelenë. Nga informacionet e deritanishme, nuk kemi pasur probleme në këto monumente. Ndërkohë, problematike paraqitet situata në qendrën historike të Gjirokastrës, ku kemi disa banesa që janë të rrezikshme dhe mbahen nën kontroll për të mos dëmtuar banesat përreth”, tha Ardis Duka, drejtor i DRKT Gjirokastër.
Sipas të dhënave paraprake, problematike mbeten banesat brenda zonës historike, edhe pse reshjet nuk sollën dëmtime madhore.
“Banesat janë dëmtuar për shkak të mosbanimit nga askush”, tha ai.
Në qarkun e Gjirokastrës numërohen rreth 500 objekte të shpallura monument kulture, të kategorisë së parë ose të dytë.







