Një grua nga Zelanda e Re me origjinë koreano-jugore u dënua të mërkurën me burgim të përjetshëm për vrasjen e dy fëmijëve të saj të vegjël, trupat e të cilëve u gjetën mbi tre vjet më parë brenda valixheve në një depo të braktisur.
Hakiung Li u shpall fajtore në shtator, pasi pranoi se kishte vrarë fëmijët e saj, 8 dhe 6 vjeç, në vitin 2018, një vit pas vdekjes së bashkëshortit të saj nga kanceri.
Li pretendoi pafajësi për shkak të çrregullimeve mendore dhe përfaqësoi vetveten gjatë gjykimit, duke pasur mbështetje nga dy avokatë.
Avokatët e saj argumentuan sot se dënimi me burgim të përjetshëm është i padrejtë për shkak të problemeve të shëndetit mendor të Li, por prokurorët theksuan se nuk kishte prova që ajo kishte tendenca vetëvrasëse gjatë periudhës kur kryente krimet, raporton gazeta New Zealand Herald.
Gjyqtari Jofri Vening refuzoi kërkesën për një dënim më të lehtë, por miratoi trajtimin e detyrueshëm të Li në një njësi të sigurt psikiatrike, me kusht që ajo të kthehet në burg pasi të vlerësohet si e aftë mendërisht, sipas raportimeve.
“E dinit që veprimet tuaja ishin moralishëm të gabuara ndoshta nuk mund të mbani fëmijët me vete si një kujtesë të përhershme të jetës tuaj të mëparshme të lumtur,” tha Vening.
Li është e detyruar të vuajë një dënim minimal prej 17 vjetësh pa mundësi për lirim me kusht. Burgimi i përjetshëm është dënimi më i rreptë në Zelandën e Re, e cila e ka hequr dënimin me vdekje në vitin 1989.
Gjatë gjykimit u zbulua se Li kishte dhënë fëmijëve një dozë të tepërt të medikamenteve të përshkruara në 2018, më pas trupat i kishte futur në qese plastike dhe i kishte vendosur në valixhe.
Trupat e fëmijëve u gjetën në vitin 2022 nga një familje që po kontrollonte përmbajtjen e një dollapi në një depo që kishte blerë përmes një ankandi online.
Policia e Zelandës së Re nisi hetim për vrasje, dhe Li, e cila kishte shkuar në Korenë e Jugut në 2018, u ekstradua për t’u gjykuar në nëntor 2022.







