8 gola të shënuar dhe spektakël pafund në sfidën PSG-Tottenham, me sheikët francez që në fund triumfuan në shifrat 5-3, një ndeshje ku pa diskutim heroi kryesor ishte Vitinha, autor i një “triplete”, por kjo ishte një ndeshje e veçantë edhe për Kolo Muanin, me francezin që i realizoi një dygolësh kundër ish ekipit të tij.
Richarlison hapi siparin e golave, me brazilianin që me kokë brenda në zonë dërgoi topin në rrjetë. Në fundin e pjesës së parë, në minutën e 45-të, Vitinha realizoi një super gol duke barazuar shifrat. “Gjelat” anglez heshtën Parisin me fillimin e pjesës së dytë ku Kolo Muani me një predhë të vërtetë kaloi Tottenham në avantazh. Festa nuk zgjati shumë pasi 3 minuta më vonë, Vitinha realizoi një tjetër super gol duke barazuar shifrat në 2-2.
PSG mori kontrollin total të lojës dhe 6 minuta më vonë ishte Fabian Ruiz që realizoi golin e tretë për gjigandët francez. Ekipi i Luis Enriques nuk e uli ritmin për asnjë moment dhe në të 65-tën, Pacho kompletoi “pokerin” e golave. Për të rihapur edhe një herë ndeshjen mendoi sërish Kolo Muani, me “bomberin” francez që ngushtoi shifrat në 4-2. Për të mbyllur llogaritë me Tottenham ishte sërish Vitinha me portugezin që kompletoi mbrëmjen e tij të madhe duke realizuar golin e tretë personal dhe të pestin për PSG.
Me 12 pikë në 5 ndeshje, francezët renditen në vendin e dytë, tre më pak se Arsenali kryesues. Kapet fort pas këtij trepikëshi Luis Enrique edhe pse ekipi i tij vijon të fus ujë: “U pa edhe një herë se në Champions nuk ka ndeshje të lehta. Mendoi se Tottenham zhvilloi nbjë ndeshje të mirë. Ishte e vështirë pasi u detyruam dy herë të përmbysnim rezultatin. Ishte një ndeshje e komplikuar, e vështirë, si të gjithë ndeshjet në Champions, por për fat Vitinho ishte spektakolar këtë mbrëmje”, u shpreh Luis Enrique.







