Nëse disponon para të padeklaruara pranë autoriteteve, qofshin këto të fituara përmes evazionit fiskal, qoftë përmes kontrabandës apo aktiviteteve të tjera kriminale, do të kesh mundësi t’i deklarosh pranë tatimeve përkundrejt një tatimi minimal prej 5%, dhe askush nuk do t’ju inspektojë për të vërejtur se nga kanë ardhur paratë dhe as nuk do t’ju bëjë pyetje.
Ky është thelbi i të ashtuquajturës “paqe fiskale”, një projektligj i qeverisë “Rama” që, nën idetë tradicionale të fshirjes së detyrimeve tatimore të paarkëtueshme, krijon një kanal të gjerë përmes të cilit, çdo pronar i një kompanie të regjistruar, do të mund të deklarojë asetë që supozohet se aktualisht i mban jashtë bilanci, pa pasur nevojë të japë llogari mbi origjinën e këtyre aseteve. Detyrimi i vetëm është pagesa e një takse prej 15% nëse fitimi i rideklaruar është 18% më i lartë se sa ai i deklaruar në tre vitet e fundit, dhe 5% për fitime më të larta se kaq.
Ideja fillestare për një amnisti fiskale, qeverisë “Rama” i lindi në vitin 2020. Pas protestave të Bashkimit Evropian, planet për ta miratuar atë pa u vënë shumë re në parlament dështuan. Projektligji kaloi në një “proces rishikimi”, por dështoi sërish në vitin 2022 pas protestave nga Brukseli.
Projektligji i ri, i cili u miratua paraprakisht në parlament para se të shqyrtohet nen për nen së fundmi, është në thelb e njëjta gjë me përjashtim të titullit. Projektligji kësaj here nuk quhet “amnisti fiskale” por është maskuar nën nofkën “paqe fiskale”.
Të përbashkëtat e “paqes” me “amnistinë” janë masa e tatimit, 5% parashikohej se duhej të paguanin individët dhe bizneset që do të përfitonin nga procesi i amnistisë fiskale dhe 5% kërkohet edhe sot nga “paqja”. Ashtu si në rastin e amnistisë, subjektet përfituese të “paqes” do të kenë një vit kohë për të deklaruar paratë e padeklaruara apo asetet e tjera fizike.
Për shembull, një biznes që ka deklaruar, fjala vjen, 10 mijë euro fitime neto për tre vitet e fundit, do të ketë mundësinë të deklarojë 100 mijë apo 200 mijë apo praktikisht sa të dojë fitime të padeklaruara, për të cilat do të paguajë një shumë prej 5%.
Ashtu si në rastin e amnistisë, thelbi i projektligjit të ri do të jetë që tatimet, me të marrë kërkesën për marrëveshje, humbasin të drejtën për kontroll ndërsa procesi mbetet ngushtësisht konfidencial. Asnjë klauzolë për të verifikuar nëse paratë shtesë të vetëdeklaruar kanë ardhur nga evazioni i zakonshëm fiskal, apo janë siguruar nga trafiku i drogës, nga korrupsioni apo aktivitete të tjera të paligjshme nuk ekziston.
Ndryshe nga projektligji i amnistisë, në këtë rast, Personat e Ekspozuar Politikisht, të njohur në gjuhën teknike “PEP” janë përfitues të papërjashtuar./BIRN







