Informacionet e reja që kanë dalë së fundmi zbulojnë se personat që kanë menaxhuar pasuritë e vëllait të Ceno Klosit, Genti Klosi janë po të njëjtit që kanë përfituar licenca dhe leje ndërtimi për impiant prodhimi fotovoltaik në qytetin e Fierit, pranë bregdetit.
Historia për impiantin fotovoltaik ka nisur më herët me krijimin e shoqërisë “Orher“ shpk në dhjetor 2020, por zhvillimet që do të sillnin dyshime se pas kësaj kompanie fshihet, Ceno Klosi do të ndodhnin në 19 janar 2023. Nga administrimi i kompanisë do të largohej Mirel Mjekra për t’u vendosur Maria Mino dhe si zotërues i kompanisë është kompania SEAN shpk, me pronare fundore Aulona Gaxhenji, e cila në fillim të vitit 2024 do t’ia shiste pronësinë kompanisë “FINVEST“ me aksioner Julian Dhimën.
Administratorja Maria Mino ka qene menaxhere e restorantit luksoz të vëllait të Klosit, Genti Klosi që zotëron kompaninë “T.O.V 2019“. Menjëherë sapo Mino të bëhej administratore, pas disa muajsh në maj 2023, ministrja e pezulluar e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku do të lidhte kontratën “Për ndërtimin, shfrytëzimin dhe administrimin e centralit gjenerues të energjisë elektrike fotovoltaike, me kapacitet prodhues 2 MVV, në zonën e Semanit, në fshatin Povelçë, Njësia Administrative Topojë në Bashkinë Fier me shoqërinë ‘Orher’ shpk.
Nga verifikimi i dokumenteve rezulton se Enti Rregullator i Energjisë deklaron se zona është në fshatin Grykë të njësisë administrative Topojë, ndërkohë që kontrata e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë tregojnë për një ndërtim në fshatin Povelçë po në njësinë administrative Topojë.
Në këtë rast, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka bërë një gabim, që tregon një problem serioz. Kjo pasi edhe në lejen e Agjencisë së Zhvillimit të Territorit specifikohet zona dhe vendi, e cila është në fshatin Grykë në njësinë administrative Topojë të Bashkisë Fier. Faktikisht, fshati Povelçë ndodhet në njësinë administrative Dërmenas të Bashkisë Fier, kurse fshati Grykë në njësinë administrative Topojë.
Gabimi lidhet me faktin se fshati Povelçë dhe fshati Grykë janë vendndodhje të ndryshme në njësi të ndryshme administrative në Bashkinë Fier. “Vetting” ishte në terren për të verifikuar vendndodhjen e centralit fotovoltaik dhe zbuloi se ky impiant gjendej në fshatin Grykë dhe jo në fshatin Povelçë.
Në këtë rast, si Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, por edhe Enti Rregullator i Energjisë kanë bërë një gabim, i cili mund t’i bëj të pavlefshme veprimet e kryera deri tani. Gabimi i parë ka ardhur nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, por si është e mundur që Enti Rregullator ka miratuar këtë licencë pa verifikuar vendndodhjen?
A ka marrë porosi Enti Rregullator për të dhënë këtë licencë pavarësisht gabimeve dhe e ka miratuar ? Si mund të kalojë një licencë me fshatra të ndryshme pa u korrigjuar ? Si mund ti japësh licencën pa verifikuar vendndodhjen e fshatit?
Më 16 shtator 2025, Partia Demokratike do të bënte një kallëzim për dosjen që lidhet me kontratën e kompanisë ORHER shpk dhe vetëm para disa ditësh nëntor 2025, SPAK do të deklaronte se është regjistruar procedimi penal me nr.95, viti 2025, mbi bazën e kallëzimit penal të depozituar nga shtetasja Adriana Kalaja kundër shtetasve Belinda Balluku, Ceno Klosi. Në këtë rast, Prokuroria e Posaçme do të deklaronte se materiali kallëzues shtesë ardhur dhe protokolluar në shtator 2025, në lidhje me këtë kallëzim është administruar në kuadër të procedimit penal nr.95, viti 2025 dhe se ky procedim penal është në fazën e hetimeve paraprake.
“Vetting” kontaktoi Entin Rregullator të Energjisë dhe Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë në lidhje me gabimin për vendndodhjen e centralit fotovoltaik, por derin në publikimin e këtij artikulli nuk pati asnjë deklaratë nga institucionet.
Por kontrata e fotovoltaikut nuk është e vetmja gjë që rëndon mbi Ceno Klosin pasi edhe si kryetatimor te Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve na rezultojnë shkelje të panumërta nga deputeti i Partisë Socialiste.
Klosi la në hije OJF që paraqesin rrezik për pastrim parash dhe terrorizëm
Një nga problemet e heshtura ndaj të cilit askush nuk e ka hedhur një gurë deri më sot, as Prokuroria dhe as Tatimet janë organizatat jofitimprurëse me aktivitet të dyshimtë financiar.
Sinjalizimi për mungesën e auditit tek këto organizata ka ardhur nga Kontrolli i Lartë i Shtetit dhe lidhet vetëm me OJF-të, të cilat kanë probleme me financimin, kush qëndron mbrapa tyre dhe cili është qëllimi.
Mesa duket një nga njollat që do t’i ngelet Ceno Klosit si kryetatimor është edhe fakti se Drejtoria e Tatimeve gjatë kohës së tij nuk ka realizuar asnjë program kontrolli pranë organizatave jofitimprurëse. Në fakt, OJF-të kanë qenë në qendër të vëmendjes sepse jo rrallëherë ka patur dyshime se përdoren për pastrim parash.
Nga auditi rezulton se Tatimet nën drejtimin e Ceno Klosit nuk ka filluar asnjë program kontrolli përgjatë vitit 2023 pranë organizatave jo fitimprurëse që operojnë në vendin tonë. Sipas informacionit nga Drejtoria e Menaxhimit të Riskut te Tatimet, rezulton se në 5 vitet e fundit nuk është kryer për asnjë rast propozime kontrolle pranë këtyre OJF-ve.
“Nga databaza e aktivitetit për 5 vitet e fundit, ekzistojnë OJF me qarkullim deri në 728,808,724 lekë, por gjithashtu edhe për risqet e tjera që këto biznese mbartin të tilla si diferenca mes të ardhurave/shpenzimeve të deklaruara në pasqyrat financiare të dorëzuara në C@ts, krahasuar me situatën që është raportuar në FDP, pagave të ulëta të deklaruara në listëpagesa, tatimit në burim, pastrimit të parave dhe financimin e terrorizmit etj. por gjithashtu edhe për riskut që këto biznese mbartin të tilla si diferenca mes të ardhurave/shpenzimeve të deklaruara në pasqyrat financiare të dorëzuara në C@ts, krahasuar me situatën që është raportuar në FDP, pagave të ulëta të deklaruara në listëpagesa, tatimit në burim, pastrimit të parave dhe financimin e terrorizmit“ , shkruhet në raportin e auditit për vitin 2023.
Auditi ngarkon me përgjegjësi në mënyrë specifike Ceno Klosin, i cili ishte larguar gjatë kohës që është publikuar raporti. Madje nga informacioni i marrë te Sektori i Parandalimit të Pastrimit të Parave, për vitin 2023 nuk ka raste për hetime të filluara me iniciativën e vet Tatimeve.
Këtë problem nuk e ka ngritur vetëm auditi, por edhe Prokuroria e Posaçme, ku drejtuesi i saj Altin Dumani ka vendosur theksin edhe te Tatimet që nuk bëjnë denoncime për raste korrupsioni apo pastrim parash.
Megjithatë OJF-të janë vetëm një sektor që ish kryetatimori ka bërë shkelje pasi një tjetër fakt i rëndë lidhet edhe me procesin e punës së tatimeve me masat ndaj punonjësve. Klosi në vend që të merrte masa për vërejtje dhe largim nga puna për inspektorë dhe drejtora tatimesh që zbatojnë urdhrat e tij në shkelje të ligjit, ka zgjedhur ti kundërvihet Kontrollit të Lartë të Shtetit.
Madje një nga mangësitë më të mëdha është fakti i ekzistencës së detyrimeve tatimore jashtë sistemit aktual. Pra, në një institucion shtetëror si Tatimet Klosi ka vendosur të mos shënojë detyrimet tatimore sipas ligjit, por me skema që ngrenë dyshime për mënyrën se si është drejtuar ky institucion./emisioni vetting







