Ballina Sport Hamilton, i zhgënjyer me paraqitjen për vitin 2025

Hamilton, i zhgënjyer me paraqitjen për vitin 2025

22
0

Lewis Hamilton ka qenë në qendër të vëmendjes në konferencën për shtypin para Çmimit të Madh të Katarit, teksa Formula 1 po i afrohet fundit të sezonit dhe dy garave të saj të fundit. Pas një fundjave emocionuese në Las Vegas, piloti britanik i Ferrarit shfaqi sinqerisht zhgënjimin e tij për vitin 2025, duke e cilësuar sezonin si larg pritshmërive.

“Nuk dua ta vlerësoj sezonin tim 2025, dua të shikoj vetëm përpara. Rezultatet flasin vetë.

Ka disa gjëra pozitive që ne mund të marrim me vete për të ardhmen. Ka shumë bashkim dhe pasion në ekip dhe tani fokusi ynë do të jetë vetëm tek sezoni i ardhshëm. Ajo që kam mësuar këto dymbëdhjetë muaj është të reagoj, të ngrihem në këmbë pas vështirësive.”

Në Las Vegas, Hamilton kishte deklaruar se ishte “larg së qeni optimist” për 2026-ën, por në Katar tregoi një qasje më të qetë dhe më të balancuar:

“Do të isha i befasuar nëse pilotët e tjerë do të ishin shumë entuziastë për sezonin e ardhshëm në fund të këtij viti. Në fund të kampionatit energjitë janë të pakta. Në atë moment isha i zhgënjyer, por në të vërtetë jam i emocionuar të shoh çfarë do të sjellë viti i ardhshëm.”

Sa i përket pistës së Losail-it, Hamilton shpreson në një paraqitje dinjitoze, por e di se rivaliteti me Red Bull mbetet sfida më e madhe:

“Në Katar besoj se makina do të performojë mirë, për shkak të profilit të pistës. Do të jetë e vështirë të jemi në nivelin e Red Bull-it, por shpresoj në një të ardhme më të mirë.”

Në konferencë ishte i pranishëm edhe talenti i ri Kimi Antonelli, i cili po rritet me shpejtësi në skenën e madhe dhe e cilësoi garën e Las Vegasit si “më të mirën e karrierës”. Me sytë nga sezoni i ardhshëm dhe një garë sfiduese përpara, Ferrari shpreson të mbyllë vitin me sinjale pozitive, ndërsa Hamilton kërkon të kthehet aty ku e ka vendin: në majë.