Ballina Sport Ish-ministri saudit: Vetëm Cristiano Ronaldo e meriton pagën e tij

Ish-ministri saudit: Vetëm Cristiano Ronaldo e meriton pagën e tij

33
0

Ish-ministri i Sportit në Arabinë Saudite, Princi Abdullah bin Mosaad, ka bërë një deklaratë të fortë lidhur me shpenzimet marramendëse të Saudi Pro League, duke theksuar se vetëm Cristiano Ronaldo e justifikon pagën e tij astronomike.

Duke folur në programin “Fi Al-Marama” të Al-Arabiya-s, princi, i cili mbajti detyrën nga viti 2014 deri në 2017, përpara revolucionit financiar të kampionatit, u shpreh se kontrata prej rreth 211 milionë dollarësh në vit që CR7 merr te Al Nassr është krejtësisht e arsyeshme falë ndikimit global dhe vëmendjes mediatike që ai sjell.

“Ronaldo është i vetmi lojtar i huaj që vlen aq sa paguhet, për shkak të ekspozimit ndërkombëtar që i jep ligës dhe vendit,” deklaroi ai, duke shtuar se pjesa dërrmuese e ‘yjeve’ të tjerë të ardhur nga Europa “pagueshin shumë më tepër nga ç’meritojnë.”

Princi Abdullah paralajmëroi se rritja masive e futbollistëve të huaj, tashmë deri në tetë të lejuar në listën e ndeshjes, ka bërë që lojtarët vendas të shndërrohen në “figurantë”, gjë që po dëmton seriozisht të ardhmen e përfaqësueses saudite, sidomos në prag të Botërorit 2034 që Arabia Saudite do të presë.

Ai kërkoi reforma urgjente, duke propozuar uljen e numrit të të huajve në shtatë, rritjen e madhe të investimeve në akademitë e të rinjve dhe angazhimin e trajnerëve të klasit botëror për skuadrat zhvillimore.

“Aktualisht, ndërtimi i një lige të fortë po bëhet në kurriz të kombëtares,” theksoi ai, duke kërkuar një strategji të qartë afatgjatë që talentet vendase të mos mbeten jashtë skenës përgjithmonë.