Kolegji i Gjykatës Kushtetuese mblidhet sot për të vendosur nëse kërkesa e qeverisë për pezullimin nga detyra të zv.kryeministres Belinda Balluku do të kalojë apo jo në shqyrtim.
Treshja e gjyqtarëve do të vlerësojë nëse kërkesa plotëson kriteret procedurale dhe kushtetuese për t’u trajtuar nga trupa gjyqësore.
Belinda Balluku është pezulluar nga detyra e Ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, njëkohësisht dhe zv/Kryeministres nga GJKKO.
Qeveria ka ankimuar në Kushtetuese pezullimin e saj si ndërhyrje në pushtetin ekzekutiv.
Mësohet se relator është Sandër Beci.
Në kërkesën e dërguar në Kushtetuese për çështjen “Balluku”, Këshilli i Ministrave thotë se vendimi i Gjykatës së Posaçme për pezullimin nga detyra të zv/kryeministres dhe ministres të Infrastrukturës dhe Energjisë ndërhyn drejtpërdrejtë në kompetenca e 3 organeve të shtetit, Kryeministrit; Presidentit dhe Kuvendit.
Qeveria kërkon pezullimin e vendimit të GJKKO vetëm për pjesën e pezullimit nga detyra të Belinda Balluku, duke pretenduar se se ky vendim prek interesa të lartë shtetërorë, shoqërorë, por edhe të vetë individëve.
“Pezullimi sjell pasoja të rënda të interesit shtetëror e shoqëror duke krijuar vakuum institucional pasi pamundëson propozimin e projekteve me rëndësi kombëtare për integrimin në Bashkimin Evropian, rreth 800 projekte për tu miratuar deri në fund të 2027 nga ministria që udhëhiqet nga ministri, i cili është pezulluar nëpërmjet vendimit të GJKKO-së”, arsyeton Këshilli i Ministrave.
Sipas qeverisë Belinda Balluku nuk mund të pezullohej nga detyra, pasi në cilësinë e anëtares së qeverisë gëzon të drejtat si deputete. Gjykata e Posacme vendosi të pezullojë nga detyra e zv/kryeministres dhe Ministres së Infrastrukturës dhe energjisë dhe i ndaloi të drejtën për të dalë jashtë vendit, pasi është e pandehur për tendering e tunelit të Llogorasë dhe nën hetim për tenderin loti 4 Unaza e Madhe.
Gjykata e Posaçme arsyetoi se Balluku ka rrezik të prishë provat, të intimidojë dëshmitarët, të kryejë vepra si ato që dyshohet se ka kryer apo dhe më të rënda, për shkak të detyrave që ushtron si dhe ekziston rreziku të arratiset jashtë vendit.







