Ballina Ekonomia KLSH: ISUV ka paguar rreth 300 mijë euro TVSH të panevojshme për...

KLSH: ISUV ka paguar rreth 300 mijë euro TVSH të panevojshme për laboratorët jashtë vendit

27
0

Kontrolli i Lartë i Shtetit ka nxjerrë në pah një sërë parregullshmërish në pagesat që Instituti i Sigurisë Ushqimore dhe Veterinare (ISUV) ka kryer ndaj dy laboratorëve të huaj: Wageningen në Holandë dhe C. Group në Belgjikë – gjatë periudhës së auditimit, duke evidentuar shkelje procedurale, mungesë kontrolli financiar dhe kosto të panevojshme për buxhetin e shtetit.

Sipas raportit, ISUV ka realizuar të gjithë aktivitetin e nënkontraktimeve me vetëm dy laboratorë referentë. Për laboratorin Wageningen, pagesat totale gjatë vitit 2024 kanë arritur në 33,124 euro, të kryera përmes Urdhërshpenzimit nr. 145, datë 20.05.2024 dhe U.SH nr. 333, datë 25.11.2024. Pagesa e parë, në shumën 6,624.80 euro (20% e shërbimit), është bërë për faturën nr. 7224120170, datë 24.04.2024, megjithëse KLSH vëren mungesën e urdhrit të brendshëm të titullarit për autorizim. Pagesa e dytë, për 26,499.20 euro (80% e shërbimit), është ekzekutuar mbi bazën e urdhrit të brendshëm nr. 123 prot., datë 21.11.2024. Nga auditimi është konstatuar se laboratori Wageningen nuk ka aplikuar VAT, në përputhje me marrëveshjen e bashkëpunimit dhe parimin europian B2B, ku specifikohet se “VAT will not be charged”.

Ndryshe nga Wageningen, laboratori belg C. Group ka përfshirë TVSH 21% në faturat e tij gjatë viteve 2022–2024, ndonëse më herët kishte zbatuar parimin “Reverse Charge” të Kodit të TVSH-së së Belgjikës, gjë që tregohet edhe nga faturat e periudhës para auditimit, ku TVSH ishte zero dhe ku figuron NIPT i ISUV. Të gjitha faturat me dhe pa TVSH janë firmosur nga i njëjti person – Dr. N. G., drejtori i laboratorit të analizave në C. Group.

Sipas KLSH, shpenzimet totale për analizat konfirmuese dhe shërbimet mbështetëse të laboratorëve jashtë vendit arrijnë në rreth 1,880,000 euro për periudhën e auditimit, me një shpenzim mesatar vjetor prej 627,000 euro për llogari të këtyre laboratorëve. Përfshirja e TVSH-së 21% nga laboratori belg ka krijuar një kosto shtesë prej 297,774.27 euro, ose 32,576,505 lekë, të cilat konsiderohen përdorim jo ekonomik i fondeve buxhetore.

Raporti kritikon ashpër procesin e përzgjedhjes së laboratorëve, i cili është kryer pa urdhrin e ministrit përgjegjës të ushqimit, në kundërshtim me nenin 44, pika 4, të Ligjit nr. 9863/2008 “Për Ushqimin”, si dhe me nenin 121 të Ligjit nr. 10465/2011 “Për Shërbimin Veterinar”. Përzgjedhjet nuk janë mbështetur në studime të akreditimit të laboratorëve të BE-së, duke rritur rrezikun financiar të pagesave të panevojshme.

KLSH thekson se as zyra e financës dhe as titullarët e institucionit nuk kanë evidentuar përfshirjen e parregullt të TVSH-së në faturat e C. Group, duke lejuar ekzekutimin e pagesave, pavarësisht se shërbimet laboratorike, sipas nenit 23(b) dhe 24(1)(a) të Ligjit nr. 92/2014 për TVSH, konsiderohen të furnizuara në Shqipëri dhe nuk duhet të përfshijnë TVSH të huaj. Për më tepër, neni 51(o) i të njëjtit ligj përcakton se shërbimet veterinare janë të përjashtuara nga TVSH brenda vendit.

Në disa raste janë firmosur kontrata vetëm nga titullari i ISUV, pa firmën e kontraktuesit, gjë që KLSH e konsideron shkelje të rregullave të administrimit kontraktual. Drejtuesit e institucionit gjatë periudhës së auditimit, z. I. A. dhe z. P. A., kanë lidhur kontrata pa autorizimin e detyrueshëm ministror.

Në përfundim, KLSH vlerëson se pagesa e TVSH-së 21% në Belgjikë është bërë në kundërshtim me parimin e vendit të furnizimit, duke shkaktuar kosto të panevojshme për buxhetin e shtetit dhe duke cenuar parimin e ekonomicitetit në përdorimin e fondeve publike.