Nëse arrijnë të kalojnë Sllovakinë në ndeshjen e parë të play-off-it të Botërorit 2026, “Dardanët” do të përfitojnë 500 mijë euro. Ky është shpërblimi i akorduar nga qeveria e Kosovës, në rast suksesi të skuadrës së trajnerit Foda në Bratislavë.
Lojtarët dhe stafi i Kosovës ndërkohë kanë përfituar 250 mijë euro për arritjen në fazën e play-off-it. Nëse kalojnë Sllovakinë në gjysmëfinale (kualifikimi vendoset me ndeshje teke), “Dardanët” do të ndeshen në finale me fituesin e çiftit Turqi-Rumani. Në këtë rast ndeshja për një biletë që të çon në Botërorin 2026 do të zhvillohej në stadiumin “Fadil Vokrri”.
“Për suksesin historik në kualifikimet e Kupës së Botës 2026, kalimin në fazën e play-off-it, me vendim të qeverisë do të ndajmë 250 mijë euro shpërblim. Në rast fitore ndaj Sllovakisë, zotohemi për shpërblim prej 500 mijë eurosh. Në rast kualifikimi në Kupën e Botës, zotohemi edhe për 1 milion euro tjera shpërblim”, tha kryeministri në detyrë, Albin Kurti.
Kosova bëri një paraqitje mjaft të mirë në grupin e saj eliminator, duke zënë vendin e dytë, pas Zvicrës. Shanset për të kaluar Sllovakinë në gjysmëfinale të play-off-it janë reale.







