Autoritetet italiane kanë goditur një rrjet trafikimi droge që furnizonte me kokainë tregun e Romës. Guardia di Finanza e kryeqytetit italian, në bashkëpunim me Antimafian (DDA), ka ekzekutuar urdhër-arreste ndaj 8 personave, të akuzuar për pjesëmarrje në një organizatë kriminale të specializuar në trafikun e lëndëve narkotike.
Siç shkruan RAI, hetimet zbuluan se grupi drejtohej nga një shtetas shqiptar, i cili jetonte në Holandë dhe përmes platformave të komunikimit të enkriptuar, koordinonte trafikun e kokainës drejt vendeve të ndryshme të Europës, përfshirë Italinë.
Sipas autoriteteve, rrjeti kishte krijuar edhe një qelizë aktive në Romë, e cila priste ngarkesat e kokainës, i depozitonte në vende të sigurta dhe më pas i shpërndante në pikat kryesore të shitjes në kryeqytet. Zona si Borghesiana, Pigneto, Spinaceto, Torre Spaccata, Alessandrino, Tor De’ Cenci, Finocchio, Capannelle dhe Tor Bella Monaca ishin kthyer në qendra kryesore furnizimi për tregtarët e drogës, madje edhe për grupe të tjera kriminale.
Për transportin e lëndës narkotike, organizata përdorte korrierë italianë dhe automjete të modifikuara me vende të fshehta, të përgatitura nga pronari i një kompanie që bashkëpunonte me grupin.
Hetimi ka dokumentuar trafikimin e më shumë se 210 kilogramëve kokainë, prej të cilave 130 kilogramë u sekuestruan gjatë operacioneve. Vlera totale e drogës shkonte rreth 1 milion euro.
Gjatë aksioneve u arrestuan në flagrancë 3 persona, një italian dhe dy shqiptarë, ndërsa të tjerët u prangosën më pas me urdhër të gjykatës.
Autoritetet italiane e konsiderojnë këtë goditje një ndër operacionet më të rëndësishme kundër trafikut të kokainës në Romë gjatë muajve të fundit.







