Ballina Aktualitet “Mushkat” e parave dhe oficeri i korruptuar, si SPAK goditi rrjetin kriminal...

“Mushkat” e parave dhe oficeri i korruptuar, si SPAK goditi rrjetin kriminal të kokainës

31
0

Prokuroria e Posaçme AntiKorrupsion ka përfunduar sot, 27 nëntor, hetimet që lidhen me trafikimin ndërkombëtar të narkotikëve, pastrimin e parave dhe korrupsionin. Me kërkesë të SPAK, Gjykata e Posaçme autorizoi kontrolle ndaj 21 personave nën hetim, të cilat u ekzekutuan këtë të enjte nga Policia e Shtetit.

Hetimet janë zhvilluar në bashkëpunim me Prokurorinë Antimafia të Brescia-s në Itali dhe Prokurorinë e Zvicrës. Gjatë këtij bashkëpunimi është zbuluar veprimtaria e një grupi të strukturuar kriminal të përbërë kryesisht nga shtetas shqiptarë, që dyshohet se ka trafikuar kokainë nga Amerika e Jugut drejt Europës së Veriut dhe më pas në Itali përmes rrugëve tokësore.

Autoritetet italiane kanë sekuestruar mbi 1 300 kg kokainë, të cilat janë magazinuar në gjashtë baza logjistike të ngritura nga grupi në territorin italian.

Nga hetimet rezulton se paratë e përfituara nga shitja e drogës janë transportuar përmes të ashtuquajturve “money mules” ose siç e kemi hasur shpesh në kodet e trafikantëve “mushkat“, mes të cilëve edhe shoferë autobusi të linjës Itali-Shqipëri.

Në Itali janë arrestuar në flagrancë 10 persona dhe janë sekuestruar 550 mijë euro cash, 10 automjete, një armë zjarri dhe 130 kg drogë, me vlerë rreth 12 milionë euro.

Nga 24 personat ndaj të cilëve autoritetet italiane kanë vendosur masa sigurie, gjashtë ndodhen në Shqipëri dhe tre prej tyre kanë rënë në pranga.

Siç u raportua më herët, i përfshirë rezulton edhe një oficer i Policisë Gjyqësore, me inicialet I.H., i cili u ka zbuluar të dyshuarve informacione sekrete të hetimit, duke kërkuar përfitime të parregullta monetare dhe duke vepruar në kundërshtim me detyrën.