Ballina Ekonomia Rritet numri i automjeteve, kaq vetura ka Shqipëria

Rritet numri i automjeteve, kaq vetura ka Shqipëria

42
0

Në Shqipëri, në tremujorin e tretë të vitit 2025, numri total i mjeteve në qarkullim arriti në 1 milion e 25 mijë e 981, duke shënuar një rritje prej 9,2% krahasuar me vitin e kaluar.

Autoveturat mbeten dominueset në treg, duke përbërë 80,8% të mjeteve të regjistruara, 6% janë motorë, ndërsa automjetet për transport të përzier dhe ato komerciale zënë 5,9% të totalit.

Tirana vazhdon të mbajë pozitat udhëheqëse në nivel kombëtar, me 34,7% të mjeteve gjithsej, pasuar nga Durrësi me 13,6%. Këto dy qarqe janë ato që kanë numrin më të madh të mjeteve në qarkullim, duke reflektuar densitetin më të lartë të popullsisë dhe zhvillimin ekonomik, transmeton ATSH.

Nga ana tjetër, Gjirokastra dhe Kukësi mbeten me numrat më të ulët të mjeteve, me përkatësisht 2,2% dhe 2,4% të totalit të mjeteve.

Po ashtu, regjistrimet e reja të mjeteve kanë shënuar një rritje prej 1,6%, me gjithsej 26.614 mjete të regjistruara për herë të parë gjatë këtij tremujori. Nga këto, 82,3% kanë qenë autovetura.

Volkswagen është marka që kryeson në regjistrimet e reja me 19,8% të tregut, e ndjekur nga Mercedes Benz me 17%, duke dëshmuar një preferencë të vazhdueshme për këto dy marka të njohura.

Tirana ka udhëhequr gjithashtu në regjistrimet e reja, me 39,5% të mjeteve të regjistruara për herë të parë në këtë periudhë.