Ish-deputetë dhe kandidatë për deputetë të Partisë Demokratike, kryesisht ata të listës së hapur që morën shumë më tepër vota sesa emrat e listës së mbyllur, u mblodhën sot për të diskutuar mbi rrugëdaljet nga vakuumi politik ku ndodhet aktualisht PD-ja. Takimi, i parë nga shumë demokratë si lëvizja e parë e një grupimi të ri brenda opozitës, ka ngjallur debate të brendshme dhe interes të gjerë publik.
I pyetur për këtë mbledhje, kryetari i grupit parlamentar Gazment Bardhi u përpoq ta minimizojë rëndësinë e saj, duke deklaruar se “ky nuk është lajm pasi ata kanë qenë duke pirë thjesht kafe”.
“Kam pasur mundësinë të komunikoj me disa persona që ishin në atë kafe dhe më është thënë që ishin të ftuar për të pirë kafe dhe s’kishin asnjë qëllim. Ky është shfokusim nga beteja jonë e vërtetë,” tha Bardhi, duke e paraqitur takimin si joformal dhe pa peshë politike.
Por burime të pranishme në takim tregojnë të kundërtën: mbledhja përfshinte emra të rëndësishëm të PD-së, të votuar drejtpërdrejt nga qytetarët, si Ilir Alimehmeti, Hysen Kadiu, Aulon Kalaja, Parid Mahmutaj e të tjerë — dhe diskutimet kishin të bënin me të ardhmen e opozitës dhe boshllëkun aktual drejtues.



