Muzeu i Luvrit në Paris ka vendosur të rrisë me 45% çmimin e biletave për vizitorët që vijnë nga jashtë Zonës Ekonomike Europiane, duke filluar nga 14 janari 2026, njoftuan drejtuesit e muzeut dhe sindikatat për AFP-në.
Me vendimin e ri, vizitorët nga vende jashtë BE-së, Islandës, Lihtenshtejnit dhe Norvegjisë do të paguajnë 32 euro për hyrje, nga 22 euro që kushton aktualisht. Rritja prek sidomos turistët amerikanë – grupi më i madh i vizitorëve të huaj – dhe vizitorët kinezë, të cilët renditen të tretët, sipas raportit të aktivitetit të muzeut për vitin 2024.
Vetëm në vitin 2023, Luvri priti 8.7 milionë vizitorë, prej të cilëve 69% ishin të huaj. Pas grabitjes spektakolare të 19 tetorit, drejtoria e muzeut vlerëson se rritja e çmimit pritet të sjellë 15–20 milionë euro shtesë në vit, të cilat do të përdoren për të zgjidhur “probleme strukturore” të institucionit.
Një raport i fundit i Gjykatës së Llogarive ka paralajmëruar se muzeu përballet me “një seri investimesh të mëdha që nuk mund t’i financojë”, kryesisht për shkak të mungesës së prioritizimit të punimeve të shumta që janë në zhvillim. Grabitja e tetorit nxori gjithashtu në pah mangësi të pajisjeve të sigurisë, veçanërisht në mbrojtjen e bizhuterive mbretërore.
Rritja e çmimit u propozua fillimisht në janar nga ministrja franceze e Kulturës, Rachida Dati, e cila tha se muzeu ka nevojë për burime të reja financiare, ndërsa paralajmëroi se projekti i madh i restaurimit mund të kapërcejë 1 miliard euro.
Kujtojmë se në janar 2024 çmimi i hyrjes për të gjithë u rrit nga 17 në 22 euro.
Ndërkohë, sindikatat kundërshtojnë vendimin, duke theksuar karakterin “universal” të Luvrit dhe nevojën për “akses të barabartë” në koleksionet e tij. Punonjësit shprehin shqetësim edhe për rritjen e ngarkesës së punës, pasi do të duhet të verifikohet kombësia e çdo vizitori.







