Nga Elton Qyno
Sipas dosjes hetimore oficeri i policisë Gjyqësore Igli Haxhiaj ka qenë pjesë e hetimeve që po kryente SPAK, lidhur me goditjen e disa personave të përfshirë në veprimtari kriminale të trafikut të drogës.
Një ndër personat që ishte në survejim dhe kishte për detyrë ta përgjonte ishte pikërisht oficeri i policisë pranë forcës operacionale Igli Haxhiaj.
Haxhiaj dekonspironte hetimin pikërisht tek personi nën hetim për trafik droge Dario Myftiu.
Sipas dosjes hetimore del se midis kodit pin HY67U7 në përdorim të shtetasit Igli Haxhiaj dhe kodin pin EC72PV, në vitin 2020, në intervalin kohor 21:36-21:58, janë kryer bisedat si më poshtë.
I.Haxhiaj: Epo ti e di eshte vllai, po pati deri atehere patjeter.
EC72PV: po me thuj ca ti them, se seshte problem ajo pune.
I.Haxhiaj: Ai eshte qe te jet i informuar, për ca behet fjalë, a s’ka interes dmth, po tani thuaj kaq, si te japi leket ja themi ca ka dhe kur te ket siklete qe di i ket nga mbrapa e njoftojme, edhe sa here te jemi mbas atij ta njoftojme, o vllai te na japi noi kave, edhe sa here te jemi mbas atij ta njoftojme, se si ceshtje nuk e mbyllim dot, se e ka tjeter kush, vetem mos i thuaj kush jam une mos ta dij fare se sdihet ca flet…. Ok vllai….Po noi 5€, mos ta vrasim…thuaji kur ke sjell nje sasi te modhe te moren ne tel, dhe ke qene me dy goca. Po sja vlen me i thene me pak…. po per 500, 1 mij sja vlen fare vllai, se i shpetojme gjithe ato lek, ati nje kapje i fiken 70 mij, i arrestuam nipin, thuaja ta dij, thuaj per 5 vk…shife ca do thot.
Në bisedat e mësipërme, shtetasi Igli Haxhiaj komunikon me përdoruesin e kodit pin EC72PV përsëri në lidhje me dhënien e informacioneve në këmbim të marrjes së përfitimeve monetare.
Nga bisedat e mësipërme duket qartë se kur ai komunikon shifrën “5” bëhet fjalë për shumën monetare “5,000 Euro”, pasi përshkruan se është “5€” dhe shpjegon se “per 500, 1 mij sja vlen fare vllai…”.
Kjo bisedë vjen në përputhje me bisedën e datës 05.12.2020 të kryer me shtetasin Dario Myftiu, ku i komunikon se, “…Jemi 3 veta nga 5 mij vlla”, duke konfirmuar faktin se “5 mij..” është “5,000 Euro”.
Gjatë fazës së hetimeve paraprake për këtë procedim penal shtetasi Igli Haxhiaj në cilësinë e oficerit të policisë gjyqësore, në Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale, në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, ka qënë pjesë e grupit të hetimit që ka kryer përgjimin dhe vëzhgimin e fshehtë të subjekteve të këtij procedimi penal, duke kryer vëprime vëzhgimi ndaj shtetasit Dario Myftiu dhe automjeteve në përdorim të tij.
Në datën 17 maj 2019 shtetasi Igli Haxhiaj ka qënë pjestar i grupit të vëzhgimit ku është konstatuar automjeti me targa AA691RE i cili ka rezultuar më pas se është përdorur nga shtetasi Dario Myftiu.
Në këtë datë është konstatuar se shtetasi Dario Myftiu është takuar në “Bar Los Locos” me shtetasin Gernard Beu (Ago), i cili është i pandehur në procedimin e ndarë.
Nga ky moment dhe në vazhdim shtetasi Igli Haxhiaj ka qënë në dijeni të faktit që shtetasi Dario Myftiu ishte pjesë e hetimeve dhe ka kryer në vazhdimësi veprime të tjera procedurale ndaj këtij personi dhe në kuadër të hetimeve të procedimit penal nr.49 viti 2019.
Në kuadër të veprimeve hetimore që janë kryer lidhur me këtë procedim penal, duke përfshirë edhe periudhën e muajit dhjetor të vitit 2020, është vendosur lejimi i përgjimit të bisedave telefonike për shtetasin Dario Myftiu, shtetasin Asti Llupi, si dhe persona të tjerë, me të cilët ka patur të dhëna se shtetasi Dario Myftiu mundet të bashkëpunonte në kryerjen e veprës penale.
Gjatë hetimeve paraprake, në datën 11 shkurt 2020, shërbimet e policisë gjyqësore kanë vendosur pajisje rregjistruese në automjetin me targa AA691RE që është përdorur nga shtetasi Dario Myftiu, me të cilën janë rregjistruar bisedat që janë kryer brënda në automjetin e mësipërm nga e shtetasit Dario Myftiu.
Nga data 11 shkurt 2020 dhe në vazhdim, duke përfshirë edhe periudhën e muajit dhjetor të vitit 2020, është vendosur lejim i përgjimit të bisedave ambientale në automjetin me targa AA691RE që është përdorur nga shtetasi Dario Myftiu.
Igli Haxhiaj ka kryer në vijim funksionet e oficerit të policisë gjyqësore në kryerjen e përgjimeve ambientale dhe vëzhgimeve për të gjithë subjektet e hetimit të procedimit penal, për të cilat është autorizuar në vazhdimësi kryerja e përgjimeve në vënde publike.
Gjithashtu, shtetasi Igli Haxhiaj ka qënë i pranishëm në cilësinë e oficerit të policisë gjyqësore në kryerjen e veprimeve të fshehta të instalimit të pajisjeve teknike të përgjimit në automjetin e markës Mercedez Benz GLE, me targa AB638AI, në përdorim të shtetasit Dario Myftiu, veprim i cili është kryer në datën 12 mars 2022.
Të gjitha veprimet hetimore dhe procedurale të përgjimit të bisedave telefonike, të përgjimit të bisedave ambientale në automjetin me targa AA691RE, si dhe të përgjimit dhe vëzhgimit të personave në vënde publike, kanë qënë veprime hetimore dhe procedurale të cilat përbëjnë “Sekret hetimor”.







