Ballina Rajoni Pakoja e re e Sky komunikimeve ‘trondit’ Serbinë: Përmenden vëllezërit Vuçiq

Pakoja e re e Sky komunikimeve ‘trondit’ Serbinë: Përmenden vëllezërit Vuçiq

0
23

Presioni i pushtetit ndaj Prokurorisë për Krimin e Organizuar (TOK) në Serbi ka arritur kulmin, ndërsa qeveria po përgatit ndryshime ligjore që do t’i heqin kësaj prokurorie pavarësinë, duke e futur nën varësinë e Prokurorisë së Lartë në Beograd.

Sipas burimeve të mediumit Radar, një nga arsyet kryesore të këtij sulmi është pakoja e re e komunikimeve të Sky ECC, e ardhur përmes Europolit, e cila dyshohet se përmban të dhëna për korrupsion të nivelit të lartë ku përmenden presidenti serb Aleksandar Vučić dhe vëllai i tij, Andrej Vuçiq. Këto komunikime ndodhen në Ministrinë e Brendshme, por, sipas burimeve, nuk janë dorëzuar ende në Prokurorinë për Krimin e Organizuar (TOK).

Ndërkohë TOK ka hapur disa hetime të reja sensitive, përfshirë: Korrupsionin gjatë rindërtimit të strehëzës së autobusëve në Novi Sad ku humbën jetën 16 persona; Shpërdorimet në ndërtimin e hekurudhës drejt kufirit dhe: Falsifikimet në rastin e dokumenteve të Shtabit të Përgjithshëm.

Veçanërisht të rrezikshme për pushtetin janë dy aktakuzat e reja ndaj bos-it të drogës Darko Shariq, i cili dyshohet se ka vazhduar të drejtojë kartelin e tij edhe nga burgu, duke komunikuar përmes Sky aplikacionit me bashkëpunëtorë brenda institucioneve serbe. Në këto komunikime përmenden edhe dy vëllezërit Vuçiq.

Sky komunikimet e publikuara më herët tregojnë se njerëz të afërt me Šarić kanë diskutuar për ndikim politik dhe gjyqësor, madje janë përmendur: Ish-ministri i brendshëm Nebojsha Stefanoviq; Zyrtarë të BIA-s; Presidentin e Gjykatës së Apelit në Beograd dhe; Përfshirja në lëvizjen e gjyqtarëve që trajtonin çështjet e Shariqit.

Gjykatësit Milimir Lukić dhe Dejan Terzić kanë deklaruar se sistemi gjyqësor po përballet me presione të rënda politike dhe se shumë nga komunikimet Sky nuk janë hetuar kurrë seriozisht. Sipas tyre, informacionet e Sky duhej të ishin bazë për hetime të thelluara mbi ndikimin politik në vendimet gjyqësore, shkruan Radar.Rasti i Shariqit është bërë simbol i lidhjes së kartelit me qarqe të pushtetit. Pasi u dorëzua në vitin 2014, ai mori disa vendime të favorshme gjyqësore, përfshirë edhe lirimin në arrest shtëpiak në një vilë në Dedinje. Vetëm pas mbërritjes së paketës së re të komunikimeve Sky në vitin 2022, TOK kërkoi arrestimin e tij të ri.

Publikime të tjera, si ato të KRIK dhe mediave malazeze, tregojnë se bashkëpunëtorë të Shariqit kanë ruajtur lidhje të ngushta me biznesmenë të fuqishëm dhe figura të larta të SNS-së, përfshirë Andrej Vuçiq dhe ish-kryetarin e Novi Sadit, Milosh Vuçeviq.

Radar thotë se mbetet e paqartë nëse Prokuroria për Krimin e Organizuar do të arrijë të hapë hetime për këto komunikime ku përmenden vëllezërit Vuçiq, apo nëse do të neutralizohet nga pushteti përpara se të veprojë, duke u shndërruar në një departament të zakonshëm brenda Prokurorisë së Lartë në Beograd.