Ballina Opinion Doktor, mos u largo!

Doktor, mos u largo!

22
0

Nga Edison Ypi 

16 vjet në opozitë është një kohë aq e gjatë sa do ja kishte sosur durimin, francezëve, rusëve, mongolëve, kubanëve, kinezëve, dhe do i kishin hequr zvarrë të gjallë Napoleonin, Stalinin, Xhengis Khanin, Fidel Kastron, Mao Ce Dunin.
Doktori i ka bërë aq vjet, do bëjë edhe të tjera, dhe nuk e prek njeri me thua.
Doktori ka një mijë arësye të mos largohet.
Vetëm të kujtosh çfarë përpjekje titanike iu deshën për udhëtimin pa viza nëpër Europë dhe hyrjen në NATO. U ndesh dhëmb për dhëmb në një përballje titanike me Perëndimin e pashpirt dhe dinak që nuk ishte kurrsesi dakord. Ja arriti falë vullnetit demoniak kalitur në kudhrat e Partisë së Punës. Çka mjafton e tepron si meritë që i jep të drejtën e plotë të mos i zbesë kurrë azganit.
Luftën e shenjtë me mullinjtë e erës e braktisin, dhe nga kali zbresin, vetëm spurdhjakët, liliputat, teknefezat. Ata që nuk dinë, as nuk guxojnë, me luftu. Jo Doktori ynë i hurit e litarit që di vetëm me vra e me pre, me rraf e me përgjak, me ndez e me djeg, gjithçka që i fanepset sikur ja prek sadopak pushtetin autokratik.
Largohet nga politika dikush që s’e ka talentin e duhur për me rrejt. Por kurrë nona dhe baba i mashtrimit, gjyshi i intrigës, xhaja i dallaveres, ai që çdo gërmë e ka hile, çdo rrokje intrigë, çdo fjalë rrenë, Doktori ynë.
S’e ka problem me ik nga politika, edhe ndonjë tutkun që s’di as me vjedh as me fsheh. Por jo Doktori, gjeniu i vjedhjes, patriarku i fshehjes, sulltani i dhurimit, qokaxhiu i bërjes rrush e kumbulla të pareve publike të vjedhura me eskavator dhe buldozer. S’ka pse ikën nga politika hajduti i blerjes me pare të vjedhura të vilave dhe bizneseve nëpër botë. Poseduesi dhe shpërdoruesi i miliona dollarove të shqiptarëve që i hedh andej-këndej për të gjetur diluentin e duhur për heqjen e njollës Non Grata, pa i lëviz qerpiku, as nervi, edhe kur fal me një dorë, aq sa, me laçkë e plaçkë, bëjnë të gjitha fshatrat e një komune në Librazhd.
Ikën nga kryetarllëku ndonjë pispilluq që s’di me rraf. Por jo Doktori që rrrahjen e ka ngrit në Art dhe e zbaton sipas parimit:
Ai që rreh, por gjatë rrahjes viktimës nuk i rrjedh gjak, nuk i thyen së paku katër brinjë, nuk i shkakton të paktën tre prerje në fytyrë si të Tony Montanës, nuk i thyen tre dhëmbë, nuk i quhen rrahje por gudulisje, nuk i llogaritet dhunë por ledhatim, dhe për pasojë, nuk i njihet asnjë meritë, nuk i jepet asnjë shpërblim, nuk i hidhet asnjë kockë, nuk i premtohet asnjë vend pune, për shembull në doganë, ku të vjedhi sa të dojë.
Ai që këto kushte për rrahje i plotëson më së miri, pra Doktori, ska pse ja lëshon kolltukun asnjë ngordhalaqi që e zë gjaku vetëm nga një thikë në fyt, një çizme ushtari në bark, apo një përplasje koke pas muri.
E braktis kryetarllëkun, gjithashtu, kush nuk di me vra. Kush di me vra, nuk ikën, rri. Ata 26-ët e Gërrdecit dhe 4 të 21 janarit janë një pikë uji në detin e gjakut të mijëra të vrarëve më 97-ën kur barraka që Doktori ngriti iu rrëzua e iu bë pluhur e hi te këmbët brenda një dite. S’iu bind asnjë ushtar, asnjë oficer, asnjë nëpunës, askush. Mirë bëri Doktori që nuk zbriti nga kali asokohe. Kush guxonte me e lënë shejtanin të dilte nga shishja ? Asnjë ! Veç Doktori.
Janë liderat qullacë, butakë, ngordhalaqë ata që ikin edhe nëse 1 i vetëm nuk i do, nuk i pëlqen, nuk i sheh dot me sy. Doktori nuk është nga ata. Doktori, edhepse e di që nuk e duan 1 milionë, nuk lun nga istikami i komunistit si Oso Kuka m’vaktit, dhe hiç nuk i zbret pelës.
Doktori, me manovrimet e tia nepotiste, regjionaliste, klienteliste, mercenariste, ngriti shtetin e rrugaçave, gangsterave, injorantëve, që e zunë Shqipërinë për fyti njësoj si Doktori kryetarllëkun. Dhe Kurrë më si Korbi i zi i Poes s’ka për ta lëshuar. Mirë bëri Doktori që pushtetin e halabakëve e vuri si shkëmb në mes të rrugës drejt progresit. Nuk meritojnë më tepër shqipet e malit që nxjerrin zjarr nga goja dhe shkrepëtima nga sytë vetëm nëpër stadiume futbolli.
Ska pse largohet Doktori. E ka dëshmuar se e mban fjalën. Nuk e tradhëtoi kurrë Partinë e Punës. Nuk e turpëroi kurrë Marksizëm-Leninizmin të cilit i dha Besën e Malësorit. I qëndroi besnik edhe në ditët më të zeza. Komunist me yll të kuq në ballë. Si me qen stërnipi i Stalinit dhe stërlëngu i Leninit. S’ka provë më heroike se kjo besnikëri. Prandaj hiç të mos largohet. Nga lufta nuk largohet Doktori. Nga lufta largohet veç ai që është lindur tradhëtor, hija, geni, ADN-ja e Doktorit.
Që Doktori ja vodhi tokën pronarëve dhe ja fali ardhacakëve, ishte gabim. Por i falet. Të largohesh për kaq pak gjë, vetëm për shkak të qindra të vdekurve pas 7501 konflikteve për pronësinë e tokës, kësaj i thonë: Pordhi kali në derë të hanit. Zoti mos e dhëntë për dy pare spec ta braktisi luftën Doktori i Madhnueshëm.
Ka që po thonë se Doktori duhet të largohet se i iku jeta pas atyre të dashit që tunden por s’bien. Naivët që e thonë këtë, nuk e dinë se ato të dashit Doktori mund t’i hajë edhe pa rënë, aty ku janë. Kur dashi s’e ka mendjen. Po pushon. E ka zënë gjumi. Po sheh ëndërra. S’ka pse braktis kolltukun e hajdutllëkut Doktori dallavereve gjeniale pse dashit nuk ja ha dot ato që i tunden.
S’ka pse largohet Doktori. S’ësht’ misionar, as shenjt, as lider. Është një rraqe politike më se banale, vulgare. Një diell i zi që nuk ngroh, as nuk ndrit, vetëm nxin. Që u fut tinëz në jetët tona. Kur Partia e Punës dhe Sërbia na e dhuruan pa ua kërkuar. Kur s’e kishim mendjen të dehur nga Liria. Kur e kuptuam hilen, por ishte vonë. Na penguan llafet e tepërta, ëndërrat që s’na u ndanë, gjumi që kurrë s’na doli.