Ballina Kosovë Hamza e mbyll vizitën në SHBA: Vizita në Washington hap mundësi të...

Hamza e mbyll vizitën në SHBA: Vizita në Washington hap mundësi të reja për bashkëpunim Kosovë-SHBA

17
0

Kryetari i PDK-së dhe kandidati për kryeministër, Bedri Hamza, ka deklaruar se vizita e tij dyditore në Washington D.C. ka qenë thelbësore për prezantimin e vizionit të tij për zhvillimin e Kosovës dhe për rindezjen e partneritetit strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Hamza tha se agjenda ka qenë “intensive”, ndërsa e ka konsideruar jetike që në takimet e tij të përçojë një mesazh të qartë për të ardhmen e vendit.

“E konsiderova jetike të paraqes vizionin tim për zhvillimin e Republikës sonë dhe rindërtimin e partneritetit të thellë mes Kosovës dhe administratës amerikane”, deklaroi ai.

Gjatë vizitës, Hamza u takua me zyrtarë të lartë të Shtëpisë së Bardhë, Këshillit Kombëtar të Sigurisë dhe Departamentit të Shtetit. Ai ishte gjithashtu i ftuar në një takim të veçantë në Fondacionin ‘Heritage’, të organizuar nga James Carafano, Këshilltar i Lartë i Presidentit Trump.

Në takim morën pjesë edhe Anthony Kim, redaktor i Indeksit të Lirisë Ekonomike, dhe Max Primorack, ekspert i çështjeve të sigurisë.

Hamza u shpreh se nga këto takime është kthyer me optimizëm për të ardhmen e raporteve Kosovë–SHBA.