Ballina Ekonomia Kafeja me rritjen më të lartë të çmimit në tetor, por shqiptarët...

Kafeja me rritjen më të lartë të çmimit në tetor, por shqiptarët s’e lëshojnë filxhanin! Konsum rekord

23
0

Çmimet e kafesë dhe kakaos po rriten me ritme të shpejta dhe dalëngadalë po e nxjerrin vendin tonë nga lista e destinacioneve me kosto të ulët, si për vendasit ashtu edhe për turistët.

Të dhënat e INSTAT tregojnë se çmimet e kafesë, çajit dhe erëzave u rritën me 7.1% në tetor 2025, krahasuar me tetorin e vitit 2024. Kjo ishte rritja më e fortë ndër të gjitha grupet e mallrave të konsumit bazë që merren në konsideratë për matjen e inflacionit.

Arsyet lidhen me disa faktorë të brendshëm dhe të jashtëm. Faktorët kryesorë janë çmimet e larta të kafesë dhe çajit në tregjet ndërkombëtare, të ndikuara nga kushtet ekstreme klimatike dhe prodhimi i reduktuar.

Sektori i kafesë në Brazil, një prej prodhuesve më të mëdhenj globalë, është përballur me thatësira të gjata, ngrica dhe reshje të pazakonta, që kanë ulur sipërfaqet e mbjella dhe rendimentet.

Po ashtu, India – një tjetër prodhues i madh i çajit – ka pësuar rënie të prodhimit me rreth 30% për shkak të temperaturave të larta dhe përmbytjeve.

Nga ana tjetër, konsumi po rritet ndjeshëm, sidomos në tregjet në zhvillim, si Kina dhe India, si për çajin ashtu edhe për kafenë. Prodhimi në ulje dhe kërkesa në rritje kanë çuar çmimet në nivele rekord.

Nisur nga këto zhvillime, tregjet ndërkombëtare kanë rritur spekulimet. Çmimet e kafesë ndodhen tashmë në nivele historike, edhe për shkak të pritshmërive për mungesë prodhimi, çka forcon më tej trendin e rritjes.

Analizat e fundit tregojnë gjithashtu se tarifat e imponuara nga SHBA për prodhuesit brazilianë kanë ndikuar drejtpërdrejt në rritjen e çmimeve globale.

Kafeja është një produkt i importuar dhe çmimet e saj pasqyrohen plotësisht në tregun vendas. Megjithatë, konkurrenca e fortë e bar-kafeve dhe stili i jetesës së shqiptarëve, të bazuar në konsumin jashtë shtëpisë, po frenojnë rritjen e shpejtë të çmimeve në tregun e brendshëm.

Nga faktorët e brendshëm, mungesa e fuqisë punëtorë, rritja e kostove nga pagat më të larta dhe konsumi nga turistët po shtyn çmimet drejt rritjes.

Të dhënat historike tregojnë se gjatë viteve 2017–2018, çmimet e kafesë shënuan një ulje të vazhdueshme prej 2–3% në vit, çka tregonte periudhë stabiliteti apo rënie të kërkesës.

Nga viti 2019 deri në fillim të 2021, çmimet qëndruan në nivele të ulëta, me luhatje të vogla rritjeje, përpara se të nisnin një rritje të fortë dhe të menjëhershme gjatë vitit 2021.

Në këtë periudhë, ndikimet globale nga pandemia dhe më pas krizat e furnizimit shkaktuan shpërthim të çmimeve, me ritme që arritën kulmin në vitin 2022, rreth 8%. Pas këtij kulmi, grafiku tregon një rënie të mprehtë gjatë vitit 2023, nën 2% dhe për pak kohë afër 0%, çka tregon stabilizim të tregut pas rritjes së fortë. Megjithatë, nga mesi i vitit 2024 çmimet nisën sërish rritje të qëndrueshme, duke arritur 7.1% në tetor 2025.

Çmimet rriten, por shqiptarët nuk heqin dorë nga zakoni

Ndonëse çmimet kanë ardhur në rritje, të njëjtën tendenca ka pasur edhe konsumi, teksa zakoni i përditshmë për shumë shqiptarë është i vështirë për tu lënë, apo reduktuar.

Të dhënat e tjera të doganave tregojnë se për 10-mujorin, konsumi i kafesë arriti në 6.7 mijë tonë, me rritje prej 3.5% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Ky është niveli më i lartë i konsumit, të paktën që nga viti 2018, kur Dogana raporton të dhënat.

Në këtë tendencë një ndikim të lartë vlerësohet të kenë dhënë edhe turistët./Marrë nga Monitor