Ballina Ekonomia Nis sot shpërndarja e bonusit të fundvitit për pensionistët

Nis sot shpërndarja e bonusit të fundvitit për pensionistët

21
0

Nga dita e sotme, 1 dhjetor 2025, pensionistët do të mund të tërheqin bonusin e fundvitit. Edhe pse është ditë pushimi zyrtar, zyrat e postës do të jenë të hapura.

Sipas Institutit të Sigurimeve Shoqërore, bonusin prej 15 mijë lekësh do ta përfitojnë mbi 540 mijë persona, si të moshuarit që marrin deri në 20 mijë lekë pension, pensionet e invaliditetit, pensionet familjare dhe sociale, si dhe disa kategori të tjera pensionistësh.

Ndërsa bonusin prej 10 mijë lekësh do ta përfitojnë mbi 221 mijë individë, si personat që marrin pension mbi 20 mijë lekë, personat që marrin pension të parakohshëm, apo përfituesit e trajtimeve financiare të veçanta.

Bonusi i fundvitit mund të tërhiqet gjatë gjithë muajit dhjetor, ndërsa për ata që e kanë të pamundur gjatë kësaj periudhe, afati për tërheqje është deri më 30 qershor 2026.

Sipas Ministrisë së Financave, në skemën e pensioneve janë alokuar rreth 7.6 miliardë lekë, prej të cilave 5.9 miliardë lekë shtesë për fondin e dedikuar për bonusin e fundvitit për rreth 750 mijë pensionistë.

Gjithashtu, qeveria ka parashikuar që prej muajit janar të vitit të ardhshëm të ketë një rritje graduale mujore të pensioneve, përtej indeksimit të zakonshëm vjetor.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.