Ballina Politika Migracioni/ Qendrat në Shqipëri nën hetim për dëm ekonomik: Kostot deri në...

Migracioni/ Qendrat në Shqipëri nën hetim për dëm ekonomik: Kostot deri në 18 herë më të larta se në Itali

18
0

Qendrat e migrantëve që Italia po ndërton në Shqipëri janë zyrtarisht nën lupën e Gjykatës së Llogarive, pasi mund të kenë shkaktuar një dëm të rëndë ekonomik për buxhetin italian. Organizata ndërkombëtare ActionAid ka paraqitur një kallëzim prej 60 faqesh pranë Prokurorisë Rajonale të Lazios, duke denoncuar “shpërdorim të pajustifikueshëm të parasë publike”, ndërsa paralelisht ka dërguar një sinjalizim edhe te ANAC për parregullsi të dyshuara në tenderët e menaxhimit të qendrave.

Sipas të dhënave të publikuara në projektin kërkimor “Trattenuti”, ngritja dhe funksionimi i qendrave në Shqipëri ka prodhuar një “kaos organizativ” dhe shpenzime shumëfish më të larta se parashikimet fillestare. Financimi nisi me 39.2 milionë euro, por shpejt u rrit në 65 milionë euro pas një ndryshimi ligjor që kaloi kompetencat te Ministria e Mbrojtjes. Në total, angazhimi financiar arriti në 73.48 milionë euro, ndërsa vlera e tenderëve të publikuar kaloi 82 milionë euro.

Vetëm faza e ndërtimit ka konsumuar mbi 61 milionë euro, për një kapacitet real prej 400 vendesh deri në mars 2025 – duke e çuar koston për një vend të vetëm në 153 mijë euro, më shumë se 11 herë kostoja e qendrave të ngjashme në Itali. Në qendrën e Gjadrit, shpenzimet ditore për personel dhe operim kanë arritur në 105,616 euro në ditë për vetëm 120 orë funksionim – gati 18 herë më shumë se qendrat italiane.

Ndërkohë, projekte të ngjashme të menaxhimit të migrantëve në Itali kanë rezultuar të pasuksesshme: në Modica, në 2023, nuk u dha asnjë vendim ndalimi; në 2024, vetëm 5 nga 166 migrantë u deportuan, rreth 3%.

Raporti thekson se financimet janë marrë nga fonde kritike të shtetit italian: 15.8 milionë nga fondi për emergjencat, 10 milionë nga fondi i jashtëzakonshëm i Mbrojtjes dhe 47.7 milionë euro nga 12 ministri të ndryshme. Sipas juristëve të ActionAid, kjo tregon një devijim të rëndë nga parimet e përdorimit të fondeve publike.

Transparenca e tenderëve është një tjetër pikë e nxehtë. Menaxhimi 133-milionësh është fituar nga kooperativa Medihospes përmes një procedure të negocuar pa shpallje publike, ku ajo rezultoi i vetmi operator që paraqiti ofertë. Edhe sot, 18 muaj pas përzgjedhjes, kontrata nuk është firmosur ende.

ActionAid paralajmëron se ky model krijon “kapje institucionale”, duke e bërë shtetin të varur nga një operator i vetëm dhe duke degraduar konkurrencën, ndërkohë që qendrat në Shqipëri rezultojnë të paplota, të papërfunduara ose të papërdorura.

Hetimet vijojnë, ndërsa çështja pritet të hapë një debat të ri mbi ligjshmërinë, efektivitetin dhe koston e operacioneve të menaxhimit të migrantëve jashtë territorit italian.