Ballina Politika Rikthehet Foltorja 2. Më pak entuziazëm dhe më shumë frikë nga grupi...

Rikthehet Foltorja 2. Më pak entuziazëm dhe më shumë frikë nga grupi i “kafes” dhe takimi i parashikuar në Durrës

42
0

Pjesmarrja e ulët në protestat para Kryeministrisë dhe mbledhjet e një grupi demokratësh brenda PD, të etiketuar me emrin “kafja”, që nesër kanë paralajmëruar një takim të madh në Durrës, duket se detyruan kryetarin e Partisë Demokratike, Sali Berisha, të fillojë turin e “Foltores” numër 2 në të gjithë Shqipërinë. Berisha e nisi pasditen e sotme me demokratët në Njësinë numër 9 në Tiranë, nga ku tha se PD do të fillojë debatin dhe analizën pas humbjes në 11 maj.

“Ne fillojmë sot një debat, fillojmë sot një analizë me të cilën ne do të nxjerrim shumë më të fortë dhe më të fuqishme Partinë Demokratike, po. Dhe këtë analizë jeni i ftuar secili nga ju të japë mendime, të bëjë kritika për cilindo, të bëjë propozime çfarëdo që mendon”, tha Berisha me shumë se 6 muaj pas përfundimit të zgjedhjeve të 11 majit.

Në fjalën e tij kryetari demokrat kërkoi që të mos bëhet gjueti shtrigash ndaj të pakënaqurve brenda partisë. Ndonëse mjaftoi një kafe e disa nga eksponentëve brenda PD, që figurat drejtuese të partisë të fillonin me kritikat dhe fyerjet ndaj tyre në rrjetet sociale.

“Kam vetëm dy kërkesa: jo gjah shtrigash, ne nuk bëhemi në asnjë rrethanë parti e gjahut të shtrigave. Por japim përgjegjësinë me fakte, me argumenta secilit. Ku i patëm dobësitë tona, çfarë duhet të përmirësojmë, çfarë duhet në metodën tonë të ndryshojmë. Ne nuk kemi frikë të bëjmë të gjitha sugjerimet, të gjitha propozimet”, tha Berisha.

Ai gjithashtu justifikoi vonesën e analizës brenda partisë pas 11 majit, se mund të përdorej nga Rama për të relativizuar vjedhjen e zgjedhjeve. Takimi i sotëm është i pari në vazhdën e asaj që është konsideruar “Foltorja 2”, ndërsa nesër në Durrës grupimi që kërkon ndryshime në mënyrën e drejtimit të PD ka paralajmëruar një takim me strukturat e partisë.