Ballina Opinion Rreth 800 mijë të zhgënjyer nga partitë e mëdha dhe të vogla…

Rreth 800 mijë të zhgënjyer nga partitë e mëdha dhe të vogla…

22
0

Nga Eduard Zaloshnja

Më 11 maj, votuan 1.46 milionë zgjedhës brenda vendit, nga 1.9 milionë që ishin këtu. Pra mund të thuhet se 440 mijë zgjedhës të këtushëm ishin të zhgënjyer nga dy partitë e mëdha, ndërkohë që nuk patën shpresë te partitë e vogla. E si rrjedhojë, nuk votuan fare…

Vijmë në ditën e sotme.

Nga sondazhi fundit që zhvillova për emisionin ‘Zëri i Shqiptarëve’ në ABC NEWS, rezultoi se 46% e banorëve të rritur janë të zhgënjyer nga dy partitë e mëdha, që me një ekstrapolim të përafërt statistikor përkthehet në rreth 875 mijë zgjedhës të këtushëm. Nga këta, vetëm 75 mijë janë gati të votojnë sot një nga partitë e vogla ekzistuese (që morën 200 mijë vota më 11 maj).

Me pak fjalë, rreth 800 mijë zgjedhës të këtushëm ndjehen të zhgënjyer si nga partitë e medha, edhe nga ato të vogla. Dhe ky rezervuar gjigant votash mund të aktivizohet vetëm në qoftë se zhvillohet një nga dy skenaret e mëposhtme.

Skenari 1: Berisha jep dorëheqjen e plotë nga politika dhe në krye të saj del një lider i ri, përmes një procesi real demokratik dhe transparent, e jo si ai që u zhvillua më 2013, kur u zgjodh Lulzim Basha kryetar i PD-së. Por gjasat janë të vogla që partia më e madhe opozitare të shpëtojë nga kthetrat politike 35-vjeçare të Berishës 81 vjeçar…

Skenari 2: Një grup intelektualësh idealistë krijon një parti të re shumë më të besueshme se partitë e vogla ekzistuese. Në qoftë se ajo krijohet së afërmi, do të ketë kohë deri më 2029 të bindë shumicën dërrmuese të 800 mijë të zhgënjyerve nga partitë aktuale.

Po që ta arrijë këtë objektiv, ky grup intelektualësh idealistë duhet të ketë magnetizëm natyral për t’i tërhequr të zhgënjyerit, duhet të ketë integritet moral, si dhe aftësi të forta organizuese në terren. Qoftë edhe njëri nga këta element t’i mungojë, një parti e re do të përfundonte si këto partitë që ishin të reja para zgjedhjeve, dhe tani kanë përfunduar të vjetra…