Ballina Kronika DURRES/ Vidhte automjete në lagje të ndryshme të Durrësit dhe në qarkun...

DURRES/ Vidhte automjete në lagje të ndryshme të Durrësit dhe në qarkun e Dibrës, me qëllim shitjen te personat me precedent kriminal , pranga 21 vjeçarit

31
0

Vijojnë operacionet për zbardhjen e vjedhjeve të automjeteve të ndodhura më parë.

Finalizohet operacioni policor i koduar “Markat”.

Vidhte automjete në lagje të ndryshme të Durrësit dhe në qarkun e Dibrës, me qëllim shitjen e tyre te personat me precedent kriminal për të kryer krime ndaj jetës dhe personit; kapet dhe vihet në pranga 21-vjeçari, i shpallur në kërkim nga Komisariati i Policisë Durrës.

Gjenden dhe sekuestrohen në cilësinë e provës materiale 4 automjete të vjedhura nga ky shtetas.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës, në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme për zbardhjen e vjedhjeve të ndodhura më parë, identifikimin dhe kapjen e autorëve, bazuar edhe në informacionet e marra në rrugë operative, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Markat”.

Bazuar në informacionet e siguruara, shkëmbimin dhe bashkëpunimin me Komisariatin e Policisë nr. 4 në Tiranë dhe Komisariatin e Policisë Bulqizë, u bë e mundur kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit K. Ll., 21 vjeç, lindur dhe banues në Bulqizë.

Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Durrës, pas informacioneve të marra në rrugë operative, kanë shkuar në Bulqizë dhe në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Bulqizë kanë ushtruar kontroll në vendin ku dyshohej se ndodhej shtetasi i kërkuar.

21-vjeçari, që pak minuta më parë kishte vjedhur një automjet Benz në fshatin Gjoricë, Bulqizë, në pronësi të shtetasit V. Xh., sapo ka parë shërbimet e Policisë, është larguar me shpejtësi bashkë me automjetin, në drejtim të Tiranës.

Në kuadër të operacionit “Markat”, shërbimet e Komisariatit të Policisë nr. 4 në Tiranë kanë bërë të mundur bllokimin e automjetit, si dhe kapjen e 21-vjeçarit, të cilin ia kanë dorëzuar shërbimeve të Komisariatit të Policisë Durrës për veprime të mëtejshme.

Nga veprimet hetimore të kryera rezulton se 21-vjeçari ka vjedhur edhe tre automjete të tjera në lagjet nr. 15 dhe nr. 17 të Durrësit, si dhe sende personale në një automjet, po në lagjen nr. 15, Durrës.

Shërbimet e Policisë, gjatë kontrollit, kanë gjetur dhe sekuestruar automjetet e vjedhura të markave Benz, Toyota, Volkswagen dhe Ford Focus.

Në bashkëpunim me Prokurorinë vijon puna për zbardhjen e vjedhjeve të tjera që dyshohet se janë kryer nga ky shtetas.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.