Në skenën e teatrit “Skampa” në Elbasan, për disa net me radhë artdashësit kanë ndjekur komedinë “Shumë pak vrasës”, e cila theu kufirin që ekziston mes skenës dhe publikut.
Komedia e shkruar nga Paul Portner, solli një zgjedhje harmonike mes humorit të zi, situatave absurde dhe një strukture ku publiku bëhet pjesë e zgjidhjes së një misteri kriminal.
Regjisorja Rozi Kostani, jo vetëm drejtoi, por u kthye edhe në personazh, ndërsa spektatori jo vetëm ndoqi shfaqjen, por u bë pjesë e integruar e zhvillimit të konfliktit dramatik dhe përcaktimit të zgjidhjes.
Në shfaqje spikati interpretimi i aktorit Helidon Fino, i cili e ktheu Tony Whitcomb në një personazh që del jashtë kornizave të zakonshme. Fino ndërtoi një figurë që lëvizi mjeshtërisht mes teatralitetit ekstravagant dhe një tensioni të brendshëm emocional. Po aq e dallueshme në këtë ansambël ishte edhe interpretimi i aktores Ola Harizaj, e cila ndërtoi me finesë zonjën Schubert, një karakter që shijohej estetikisht duke ndërthurur delikatesën dhe tensionin e nënkuptuar.
Paul Portner (25 janar 1925-16 nëntor 1984) i cili shkroi “Shumë pak vrasës” ishte një dramaturg gjerman, gjithashtu romancier, përkthyes dhe botues.







