Ballina Ekonomia Lojërat e fatit, shteti humb 120 milionë euro prej akteve nënligjore të...

Lojërat e fatit, shteti humb 120 milionë euro prej akteve nënligjore të pamiratuara

27
0

Nga 1 prilli 2024 ka hyrë në fuqi ligji për lojërat e fatit, por për shkak të mungesës së akteve nënligjore, nuk është zbatuar.

Referuar një analize të bërë nga ALTAX, për shkak të vonesave në zbatimin e Ligjit Nr. 155/2015, të ndryshuar me mars 2024, dhe mosmiratimit të 11 akteve nënligjore brenda afatit ligjor 1 tetor 2024, shteti humb 7–12 miliardë lekë në vit, apo rreth 70–120 milionë euro.

Në analizën e bërë, ALTAX, del në konkluzion se zbatimi i pjesshëm i ligjit ka krijuar boshllëqe rregullatore që kanë pezulluar dhënien e 10 licencave kombëtare, duke i lënë operatorët e ligjshëm jashtë tregut dhe duke forcuar rolin e platformave të huaja.

Po ashtu theksohet se tregu i jashtëligjshëm përbën 60–75% të qarkullimit total vjetor, me xhiro të përllogaritura 150–250 milionë euro, që nuk tatohet dhe nuk monitorohet nga autoritetet shqiptare.

Në këtë mënyrë, dilet në konkluzion se potenciali fiskal i pashfrytëzuar është i konsiderueshëm dhe nëse ligji zbatohet plotësisht, shteti mund të sigurojë 12–18 miliardë lekë/vit nga tatimi 15% mbi të ardhurat bruto nga lojërat e fatit si dhe 13–23% mbi fitimet e lojtarëve me fitime mbi 5 milionë lekë.

Raporti evidenton mungesën e koordinimit ndërmjet institucioneve përgjegjëse dhe Inteligjencës Financiare, si dhe mungesën e një infrastrukture digjitale të përbashkët për ndjekjen e transaksioneve të basteve online. Për shkak të kësaj, sistemi aktual i raportimit financiar është i fragmentuar dhe joefektiv në zbulimin e flukseve të parave të paligjshme.

Sipas ALTAX, mungesa e zbatimit të ligjit krijon një dëm të drejtpërdrejtë të buxhetit të shtetit dhe ndikon në konkurrencën e ndershme ndërmjet operatorëve të ligjshëm dhe atyre të paligjshëm. Për më tepër, ekspozimi i lartë ndaj platformave të huaja rrit rrezikun për pastrim parash dhe evazion ndërkombëtar, duke dobësuar mekanizmat e kontrollit fiskal të vendit.

Për ti dhënë zgjidhje kësaj problematike rekomandohet miratimi urgjent i 11 akteve nënligjore brenda një afati të shkurtër, për të bërë të zbatueshme dispozitat e Ligjit Nr. 155/2015; Rifillimi i procedurës për dhënien e licencave kombëtare, me transparencë dhe kritere të standardizuara.

Zbatimi i masave të përkohshme për formalizimin e operatorëve, duk ofruar një periudhë tranzitore për regjistrim. Formalizimi i tregut përmes monitorimit digjital dhe bashkëpunimit institucional mund të transformojë një sektor të informalitetit kronik, në një burim të qëndrueshëm fiskal dhe transparencë ekonomike. /scan