Nga Roland Lami
Ditët e fundit në disa qytete të Bullgarisë opozita po mobilizon dhjetëra mijëra qytetarë kundër korrupsionit, duke aktivizuar një mekanizëm normal, ai i presionit publik. Ndërsa në Tiranë afërmendsh në disa qytete të Shqipëri, opozita organizon foltore seriale ku siç shprehen figura të rëndësishme të saj nuk synohet masivizim por hapësirë për të folur njerëzit. Pra modeli ynë opozitar është shumë më “i avancuar” se ai bullgar pasi kemi kaluar fazën e protestës dhe jemi futur në një serial aktivitetesh që simpatizant të PD me regji flasin për të përditshmen e tyre.
Çfarë quhet atje protestë, këtu quhet “foltore”, një format politik i cili për nga struktura i ngjan fiks një terapie në grup për nga numri i pjesëmarrësve dhe tematika e rrëfyer individualisht ku pjesëmarrësit dëgjojnë njëri tjetrin për hallet e tyre.
Në Bullgari, protestat artikulojnë pakënaqësi ndaj qeverisë.Në Shqipëri pakënaqësia paketohen si “luftë kundër korrupsionit” për të mos u dukur sikur thelbi i problemit është kriza e lidershipit brenda saj. Ironia më e madhe është se ndërsa në vende të tjera opozita kërkon të ndërtojë besueshmëri për të marrë pushtetin, tek ne duket sikur një pjesë e opozitës është e zënë duke mbrojtur vazhdimësinë e lidërshipit. Kemi kështu një paradoks, një opozitë që kërkon të luftoj korrupsionin qeveriar, ndërkohë figura të rëndësishme të saj perceptohen brenda dhe jashtë si të korruptuar.
Përmasa e protestave i tregon të gjitha. Në Bullgari, njerëzit dalin sepse e shohin veten në kauzë. Në Shqipëri, dalin ata që ndihen të detyruar të ruajnë imazhin e një lidershipi të konsumuar, që e mbështet betejën e tij politike më shumë te retorika sesa te besueshmëria reale.
Kështu, ndërsa Bullgaria përballet me korrupsionin, ne përballemi me një problem më të thellë se vet korrupsioni atë të një kulture politike që varet nga figura të pandryshueshme dhe nga përpjekja për t’i ringjallur ato, edhe kur shoqëria ka lëvizur përpara.Ndoshta kjo është ironia më e hidhur e gjithë panoramës. Shqipëria nuk ka mungesë arsye për të protestar por ka mungesë personazh me kredibilitet për ti organizuar.
Në këtë kontekst, kontrasti me Bullgarinë na ndihmon të kuptojmë një realitet të thjeshtë, atë që opozita funksionale fillon brenda vetes. Ndërsa në Sofje protestat synojnë qeverinë, në Shqipëri pakënaqësia po qarkullon si rrymë e nëndheshme brenda vetë PD-së, ku një pjesë e strukturave dhe figurave të lodhura nga riciklimi i së njëjtës logjikë politike po kërkojnë një drejtim të ri, por pa guxuar ta artikulojnë hapur. Ironia është se lëvizjet e brendshme, që në çdo parti tjetër do të ishin shenjë gjallërie, tek ne duken më shumë si tentativë për të shpëtuar veten nga hije që nuk largohen kurrë nga skena. Dhe kështu, ndërsa Bullgaria mat frymën opozitare me protestues, PD e mat me grupet e pakënaqurve që lëvizin në heshtje të kapur mes dëshirës për ringritje dhe frikës nga sfidimi i liderit që ka kthyer tranzicionin politik në profesion të përjetshëm.







