Nga Eduard Zaloshnja
Pas “Foltores” së tretë të Berishës para Kryeministrisë, ku ishin mbledhur më pak se 300 “petrita”, bëra një analizë të të gjitha sondazheve që kam zhvilluar nga 11 maji e këtej (publike dhe private). Synimi im statistikor ishte që të llogarisja me përafërsi sa përkrahës i kanë mbetur aktualisht Berishës në popullsinë e rritur të Shqipërisë prej 1.9 milion banorësh 18 vjeç e sipër.
Teksa rreth 500 mijë banorë të rritur këtu votuan për koalicionin e “Shqipërisë Madhështore” të udhëhequr prej Berishës më 11 maj, tani më rezulton se atij i kanë mbetur vetëm 360 mijë simpatizantë. Dhe nga këta 360 mijë simpatizantë, as 300 nuk i shkuan në “Foltoren” e tretë para Kryeministrisë…
Duke krahasuar shifrat e simpatizantëve të Berishës me pjesëmarrësit e “Foltores” së tij mund të arrihet në një përfundim të qartë: Edhe ata që kanë mbetur simpatizantë të Berishës nuk e marrin mundimin të shkojnë ta demonstrojnë përkrahjen ndaj tij publikisht.
Kjo tablo statistikore të kujton personazhin ‘Plaku Mere’ te filmi ‘Njeriu me Top’, i cili numëronte rruazat që i largoheshin një nga një prej tespijeve të tij…







