Një analizë e re e një koleksioni fijesh harku prej indi dhe copash shigjetash po rishkruan historinë e harkëtarisë së Neolitit. Artefaktet, të mbledhura në strehën e Shpellës së Lakuriqëve të Natës në Albuñol të Spanjës, u zbuluan fillimisht nga minatorë në shekullin e 19-të. Këto gjetje u analizuan së fundmi nga një ekip arkeologësh duke përdorur një kombinim të paprecedent të metodave mikroskopike dhe biomolekulare.
Të ruajtura për më shumë se shtatë mijëvjeçarë, fijet e harkut rezultuan se u paraprinin armëve të Ötzi-t, mumies së akullit të zbuluar në Alpet Ötztal, me më shumë se 2000 vjet, duke e shtyrë edhe më tej prapa në kohë përdorimin e fijeve të prodhuara nga kafshët në Europën e sotme. Studimi revolucionar, i botuar në Scientific Reports në vitin 2024, ofron njohuri befasuese mbi mjeshtërinë teknike të harkëtarisë neolitike në Gadishullin Iberik.
Zotërimi i harkut
Shpella e Lakuriqëve të Natës në Albuñol (Cueva de los Murciélagos de Albuñol), ndodhet në Sierra de la Contraviesa, pranë qytetit të Granadës. E vendosur buzë një greminë të pjerrët, shpella shërbeu si strehë për bagëtinë në fillim të shekullit të 19-të, përpara se minatorët të zbulonin aty shkëmbinj të pasur me plumb në vitin 1857. Teksa ata hiqnin gurët për të nxjerrë mineralin, hapën pa dashje një tunel të fshehtë, duke zbuluar mbetje skeletore dhe artefakte të lidhura me harkëtarinë. Gjetjet u mblodhën më vonë nga një arkeolog në vitet 1860 dhe u depozituan në muzetë arkeologjikë të Madridit dhe Granadës. Kohët e fundit, gërmimet e drejtuara nga arkeologu Francisco Martínez-Sevilla i Universitetit të Alcalás zbuluan një fill harku, gjë që çoi në një studim më të thelluar të objekteve të gjetura nga minatorët. Rezultatet ishin revolucionare. Ingrid Bertin, autore e parë e studimit nga Universiteti Autonom i Barcelonës, i tha revistës History: “Ajo që është e jashtëzakonshme te kjo shpellë është se kushtet jashtëzakonisht të thata e ruajnë gjithçka shumë mirë.”
Fijet më të vjetra të harkut
Përveç fijeve prej indi, banorët e hershëm neolitikë të shpellës kishin lënë pas edhe një shigjetë kallami me pupla (më e vjetra e këtij lloji në Europë), një bisht kallami me majë prej druri shelgu, si dhe degë ulliri të mprehura në formë armësh.
Datimi me radiokarbon i gjetjeve zbuloi se dy fije harku dhe copat e shigjetave datonin që nga fundi i mijëvjeçarit të gjashtë deri në fillim të atij të pestë para Krishtit gjatë periudhës së Neolitit. Analiza molekulare u përdor për të identifikuar përbërjen e materialeve dhe, për herë të parë, studiuesit arritën të përcaktonin edhe kafshët nga të cilat ishin marrë fijet: kaproll, si dhe specie të papërcaktuara të familjeve të derrit dhe dhisë. Tendinat ishin përdredhur bashkë për të formuar litarë të fortë dhe fleksibël, që, sipas studimit, “përmbushnin nevojat e harkëtarëve me përvojë.”
Më parë, i vetmi fill i hershëm neolitik i gjetur në Europë ishte një litar në La Draga, në Kataloni, i bërë nga hithra, jo nga ind kafshësh. Në atë kohë, ai zbulim ofroi njohuri të reja për teknikat e hershme të harkëtarisë, por la boshllëqe të mëdha për mënyrën si prodhoheshin fijet dhe çfarë materialesh përdoreshin. Analiza e re gjithashtu konfirmoi se bishtat e shigjetave ishin bërë nga druri i ullirit dhe kallami, duke vërtetuar dyshimet shumëvjeçare të arkeologëve se kallamishtet ishin përdorur për prodhimin e shigjetave në Europën parahistorike.
Sipas Bertin-it, kombinimi i drurit të ullirit dhe kallamit “do t’i kishte përmirësuar ndjeshëm vetitë balistike të shigjetave, me një pjesë të përparme të fortë dhe të dendur të plotësuar nga një pjesë e pasme e lehtë, dhe maja të përftuara prej druri, pa përdorur predha prej guri ose kocke.”
Edhe më të vjetër se harku i Ötzit
Para zbulimeve në Spanjë, filli më i vjetër i njohur prej indi në Europë ishte ai i Ötzit, mumies më të famshme të kontinentit. Pas vdekjes së tij të dhunshme, trupi i Ötzit u ruajt natyrshëm për më shumë se 5000 vjet, deri në vitin 1991, kur u gjet nga alpinistë pranë një liqeni malor në kufirin mes Italisë dhe Austrisë. Ötzi ishte pasardhës i grupeve bujqësore neolitike që u shpërndanë nga Anadolli (Turqia e sotme) 8000–6000 vjet më parë, duke zëvendësuar gjuetarët-mbledhës paleolitikë të Europës. Pajisjet e tij të udhëtimit, të gjetura pranë trupit, përfshinin një trastë prej lëkure dreri me 20 bishta shigjetash, katër maja brirësh dreri të përdorura për të rrjepur kafshët, dhe një fill harku dy metra të gjatë e bërë nga fibra kafshësh. Ötzi me shumë gjasë ishte i aftë në gjueti me hark e shigjetë, ndarje të mishit me thikë, përgatitje dhe riparim të pajisjeve dhe ndezje zjarri.
Përtej gjuetisë
Artefaktet dhe pajisjet e harkëtarisë janë pjesë e një grupi objektesh varrimi të gjetura në shpellë, që përfshijnë gjithashtu mbetje veshjesh, dyshekë, enë druri e fibrash, copa litarësh dhe një pishtar. Për ekipin arkeologjik, kjo tregon se objektet e harkëtarisë kishin një domethënie të veçantë për banorët neolitikë të shpellës.
Gjuetia në atë periudhë nuk ishte më mënyra kryesore e sigurimit të ushqimit, pasi bujqësia po merrte zhvillim. Ajo ishte shndërruar në një aktivitet simbolik dhe shoqëror, të lidhur ngushtë me statusin social dhe politik.
Eksperimentet e ardhshme do të përfshijnë riprodhimin e shigjetave për të kuptuar më qartë nëse ato përdoreshin për gjueti apo për përleshje nga afër, ose nëse mund të kenë qenë shigjeta jo shkatërruese, duke ndihmuar në konfirmimin e idesë se harkëtaria kishte një peshë të fortë simbolike për banorët e hershëm të Neolitit.







