Nazif Muslija, 50-vjeçari shqiptar që tronditi opinionin publik në Itali pasi vrau bashkëshorten e tij, Sadjide Muslija, në qytetin e Ankonës, është gjetur i plagosur rëndë nga autoritetet italiane. Hetuesit dyshojnë se ai ka tentuar t’i japë fund jetës.
Sipas mediave italiane, Muslija u gjet rreth orës 16:30 nga një gjuetar, i cili i dha ndihmën e parë dhe njoftoi menjëherë policinë. Pas zbulimit, prokuroria e Ankonës ka lëshuar një urdhër arresti ndërkombëtar ndaj tij dhe ka urdhëruar kryerjen e autopsisë mbi trupin e viktimës.
Karabinierët janë rikthyer në banesën ku Sadjide Muslija u gjet e vrarë, për të mbledhur prova të tjera dhe për të gjetur mjetin e fortë që dyshohet se është përdorur në krim.
Kujtojmë se gruaja 49-vjeçare u gjet e pajetë në shtratin e saj, me shenja të forta dhune në kokë dhe gjoks. Nazif Muslija kishte precedentë për dhunë në familje dhe ishte arrestuar më herët për sulm ndaj bashkëshortes me sëpatë.
Pas vrasjes, ai ishte larguar me një makinë tip “Smart”, ndërsa telefoni i tij rezultonte i fikur që prej mëngjesit të ditës së djeshme. Autoritetet italiane po hetojnë për të zbardhur plotësisht motivet e ngjarjes dhe rrethanat e plagosjes së tij.







