Ballina Europë Gjermania dhe Britania: Miqësi e fortë pas Brexit-it

Gjermania dhe Britania: Miqësi e fortë pas Brexit-it

20
0

Gjatë vizitës shtetërore në Britaninë e Madhe, Presidenti i Gjermanisë Frank-Walter Steinmeier vlerësoi marrëdhëniet gjermano-britanike. Në një banket shtetëror në Kështjellën Windsor, ai tha, sipas tekstit të fjalimit të publikuar paraprakisht, se dalja e Britanisë nga BE kishte qenë një pikë kthese e thellë. Megjithatë, ai shtoi se ata nuk kishin lejuar që kjo të dëmtonte miqësinë e tyre të përbashkët.

Steinmeieri përmendi gjithashtu veprimet e nazistëve në Britaninë e Madhe. Të premten, ai do të udhëtojë në Coventry, një qytet që u shkatërrua nga bombat gjermane gjatë Luftës së Dytë Botërore. Presidenti gjerman shtoi se sot, rrënojat janë shndërruar në qytete të lulëzuara dhe armiqtë janë bërë miq.

Në Londër, Steinmeieri dhe bashkëshortja e tij Elke Büdenbender u pritën me nderime ushtarake nga çifti mbretëror britanik në Kështjellën Windsor. Përpara kësaj, ata morën pjesë në një procesion me pajton së bashku me Mbretin Charles dhe Mbretëreshën Camilla. Presidenti Steinmeier gjithashtu u takua me Kryeministrin Starmer në selinë e qeverisë britanike në 10 Downing Street, transmeton DW.

Frank-Walter Steinmeier-i lëvdoi në takim bashkëpunimin e ngushtë midis dy vendeve. Starmer-i tha se Britania dhe Gjermania po punojnë së bashku për Ukrainën, migrimin, tregtinë dhe rritjen ekonomike, duke thënë se partneriteti po shkonte “nga një sukses në tjetrin”.

Steinmeier- vuri në dukje se marrëdhëniet janë në një gjendje shumë më të mirë se gjatë viteve të vështira pas Brexit-it.

“Ne duhet të angazhohemi për të përmirësuar situatën dhe për t’u afruar më shumë në këtë botë në ndryshim me kërcënime të reja për të gjithë ne,” i tha ai Starmer-it. Dy udhëheqësit morën pjesë në një tryezë të rrumbullakët me drejtues biznesi britanikë dhe gjermanë.

Të enjten (4 dhjetor), Presidenti i Gjermanisë do të mbajë një fjalim në Parlament në Londër, për të theksuar një aleancë të ripërtërirë sigurie që ka ndihmuar në rindërtimin e marrëdhënieve Londër-Berlin. Vizita shtetërore triditore është e para e një kreu shteti gjerman në 27 vitet e fundit.