Gazetari Artan Hoxha, i ftuar në emisionin ‘Çim Peka LIVE’, deklaroi se dosja e zv/kryeministres Belinda Balluku nuk përbën rrezik të drejtpërdrejtë për kryeministrin Edi Rama, pavarësisht se ai ‘ka problem me veten’. Sipas Hoxhës, dosjet e vërteta që e vënë në pozitë të vështirë Ramën janë ato të hetimeve ndërkombëtare, përfshirë çështjen McGonigal dhe atë të kartelit Sinaloa.
Hoxha u shpreh se Rama ‘është i paprekshëm’ brenda sistemit të drejtësisë shqiptare, ndërsa informacionet që dalin në media ‘rrjedhin nga SPAK’, çka sipas tij shpjegon edhe faktin se ‘personazhet e botës së krimit flasin mirë për kryeministrin’.
‘Edi Rama në fakt problem ka veten, nuk ka problem askënd tjetër, por ai është i paprekshëm.
Edhe ato informacione që dalin, rrjedhin nga SPAK, dhe këta kujdesen kaq shumë, sa personazhet e botës së krimit flasin mirë për kryeministrin, ndërkohë ne e dimë se çfarë është aty brenda’, tha gazetari.
Duke komentuar çështjen McGonigal, gazetari tha se hetimet amerikanë zbuluan korrupsion në nivele të larta, duke përfshirë ‘korruptimin e një zyrtari të FBI-së’ për të ndërtuar një narrativë se opozita shqiptare kishte lobuar me para ruse.
‘Edi Rama është në situatë më të rëndë se Belinda, por në çështje që kanë të bëjnë me hetime ndërkombëtare, ky është hetim i brendshëm dhe e ka kollaj.
Është hetim i rëndë McGonigali, sepse doli që qeveria shqiptare, nga zyra e tij, ka dalë informacioni dhe është korruptuar zyrtari i FBI-së, për të krijuar një narrativë se opozita ka lobuar me para ruse. Kështu je i kapur dhe u gjet edhe ai garazhi atje, ku janë dhënë paratë. Edhe pse kjo është maja e ajsbergut se nuk janë dhënë vetëm 220 mijë dollarë aty, por është provë e kapur nga autoriteti hetimor më i mirë në botë sot’, theksoi Hoxha në SYRI TV.
Gazetari Artan Hoxha solli në vëmendje edhe çështjen e kartelit meksikan Sinaloa, të shpallur organizatë terroriste nga SHBA. Sipas tij, pati momente kur në Shqipëri shpërthyen përplasjet mes grupeve të interesit, madje edhe ‘luftë kazinosh’, por ngjarja u mbulua dhe nuk mori vëmendjen e duhur mediatike.
‘Tek historia tjetër e Sinaloas, që u shpall nga SHBA si organizatë terroriste. Ti e ne në kryeministri burrin, ne merreshin me Arubën. Ka qenë në një moment në Shqipëri, ku pat luftë kazinosh, por nuk mori vëmendjen e duhur në media, se kjo histori u mbulua.
Çështje që Rama ka problem, ka këto çështjet ndërkombëtare, se aty nuk ka çfarë bën se nuk e ka në dorë situatën’, nënvizoi gazetari.
Sipas Hoxhës, kryeministri nuk po ndërhyn për të mbrojtur Belinda Ballukun, por po dërgon mesazh tek hetuesit që ‘të mos guxojnë të afrohen te telefoni i tij’. Duke komentuar çështjen Balluku, gazetari tha se pas saj fshihet një rrjet i gjerë interesash politike, ekonomike dhe kriminale.
‘Në rastin konkret ai nuk po mbron fare Belindën, por po u thotë atyre që po hetojnë çështjen dhe kanë telefonat aty, po u rikujton që u tha, mos guxoni të afroheni tek telefoni im.
Në çdo çështje korrupsioni, po nisi hetimi dhe u tërhoq litari, ai shkon në bulevard. Askush nuk e le litarin të shkojë në bulevard, por e presin.
Po të ishte ndjekur standardi me çështjet e tjera, SPAK duhej të shkonte në parlament dhe ta linte topin në derën e tyre, dhe ti thoshte parlamentit që unë ta solla dhe duke mos i dhënë kohë dhe Ramës.
Rama do vetëm 1 javë kohë sa të rivendosë kontaktet. Belinda Balluku është maja e ajsbergut të një grupi të madh interesash politike, ekonomike, kriminale. Është një botë pas saj. Dhe në momentin që ti do heqësh Belindën do u thuash këtyre mbrapa që, unë jam, unë e kontrolloj situatën dhe do vazhdoni me mua’, tha gazetari Artan Hoxha.







