Drejtësia spanjolle ka nisur një hetim ndaj një zyrtari lokal të Partisë Socialiste, PSOE, ku akuzohet për ngacmim seksual, një çështje që vë në pozitë të vështirë kryeministrin Pedro Sanchez, i cili paraqitet si mbrojtës i ashpër i luftës kundër krimeve seksuale.
Hetimi paraprak, i kryer nga prokuroria e Malagës, synon Antonio Navarro-n, sekretarin e përgjithshëm të PSOE-së në provincën Torremolinos.
Navarro akuzohet se që nga viti 2021 ka dërguar qindra mesazhe “me përmbajtje seksuale, me nënkuptime dhe propozime të paprovokuara” ndaj paditëses, e cila është gjithashtu anëtare e partisë në pushtet.
Dega lokale e PSOE-së ka kërkuar pezullimin e anëtarësisë së Navarro-s, i cili dyshohet gjithashtu se ka bërë gjeste të papërshtatshme ndaj paditëses, sipas gazetës El País.
Kjo çështje e re i shtohet rastit të Francisco Salazar-it, ish-këshilltar në zyrën e Sanchez-it, i cili gjithashtu akuzohet për ngacmim seksual nga disa ish-bashkëpunëtore. Ish-deputeti u detyrua të japë dorëheqjen në korrik.
Çështja, e cila deri tani nuk ka marrë trajtim gjyqësor, është rikthyer në qendër të vëmendjes pas deklaratave të grave që e akuzojnë Salazar-in, të cilat thanë në media se zyra e kryeministrit nuk reagoi kur ato njoftuan për herë të parë për sjelljet e tij.
Sanchez ka bërë luftën kundër dhunës ndaj grave dhe mbrojtjen e barazisë një prioritet të qeverisë së tij. Në vitin 2022 ai miratoi edhe një ligj të rëndësishëm mbi përkufizimin e “pëlqimit”.
Në muajt e fundit, çështjet gjyqësore po shtohen rreth kryeministrit, i cili thotë se ato janë sulme të së djathtës dhe të ekstremit të djathtë të opozitës.







