Ditën e djeshme Këshilli Mbikqyrës i Bankës së Shqipërisë miratoi licensimin e Jet Bank, banka e parë që do të operojë totalisht në mënyrë digjitale në vendin tonë.
Kjo shoqëri është themeluar në Shqipëri gjatë muajit gusht të këtij viti, ndërsa themeluesi dhe zotëruesi i saj është shtetasi izraelito-britanik, Idan Avishai.
Administratore e bankës do të jetë një personazh i njohur në sektorin financiar në Shqipëri, Fatbardha Rino.
Kjo e fundit më herët ka mbajtur disa pozicione drejtuese në bankat e nivelit të dytë në Shqipëri, si dhe ka qenë drejtoresha ekzekutive e Iute pay.
Po ashtu anëtarët e tjerë të bordit janë shtetasit Oliver Hemmer, Rami Solomon, edhe ata me origjinë izraelite.
Me miratimin paraprak të licensës nga Banka e Shqipërisë, JET Bank do të duhet që të nisë përgatitjet për operimin në treg, me një kapital prej 35 milionë lekë të vjetra.
JET Bank ka deri në 12 muaj kohë për të plotësuar kërkesat ligjore dhe rregullatore, nga kapitali te infrastruktura teknike, përpara se të marrë licencën përfundimtare.







