Gjykata e Tiranës ka lënë në qeli fundjavën që lamë pas Frigul Millën, administratorin e shoqërisë farmaceutike “CFO Pharma”, në pronësi të Nadir Çaushollit, në vijim të një hetimi për mashtrim në shumën 700 mijë euro me fondet publike për rimbursimin e ilaçeve.
Milla ishte në kërkim prej më shumë se tre javësh, kur gjykata caktoi ndaj tij masën e sigurimit “arrest me burg” në mungesë.
Në 27 nëntor 2025, Frigull Milla u vetëdorëzua, duke argumentuar se vetëm në atë moment kishte marrë dijeni se ishte person në kërkim. Gjykata e Tiranës, pas një seance marrje në pyetje, të zhvilluar në 30 nëntor, vendosi konfirmimin e masës së “arrestit me burg” dhe dërgimin e tij në qelitë e paraburgimit të Tiranës.
Milla, në cilësinë e administratorit të “CFO Pharma”, konsiderohet si një ndër personat kryesorë të skemës së dyshuar mashtruese, ku rezulton se janë kryer shitje fiktive të produkteve farmaceutike “Foster” dhe “Trimbow”.
Prokuroria e Tiranës dyshon se në këtë skemë, së bashku me Millën, janë edhe disa punonjës të “CFO Pharma” dhe ish-drejtuesi i Fondit të Kujdesit Shëndetësor, Spartak Zekja, i cili është gjithashtu i arrestuar, si edhe disa zyrtare të tjera të institucionit publik.
Hetimi i skemës
Në dosjen gjyqësore, të konsultuar nga “Boldnews.al”, rezulton se shtetasi Ilir Shehu është administrator i subjektit “Medicamenta” që është importues ekskluziv farmaceutik i licensuar dhe kontraktuar me Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetsor, për rimbursimin e disa barnave.
Ai kallëzon se ka ardhur në dijeni të faktit se subjekti “CFO Pharma” dhe subjektet “Pharma Plus” dhe “Medix Albania”, në bashkëpunim me nëpunës publikë të Fondit të Sigurimeve Shëndetësore, kryejnë veprime fiktive të shitjes dhe blerjes së produkteve “Foster” dhe “Trimbow” dhe, si rrjedhojë e këtyre veprimeve (inventarëve) fiktivë, përfitojnë nga FSDKSH fonde rimbursime në shuma të konsiderueshme monetare.
Nisur nga ky fakt, të dëmtuar në biznes e të partnerit në biznes, subjekti Italian “Chiesi” Spa, zhvilluan me kërkesë të kallzuesit një takim pranë zyrave të FSDKSH, me perfaqesues të këtij institucioni. Kallëzuesi ka patur mundësinë të shikojë në zyrën e statistikave e me mbështetjen e Drejtorit të Kontrollit, disa të dhëna, të cilat ishin alarmante për të. Ai konstatoi një skemë të përdorur për të gjeneruar fatura fiktive, të cilat shkaktojnë vjedhje të përmasave të medha të rimbursimit.
Nga të dhënat e publikuara nga Fondi për konsumin e barnave, të dhënat e kallëzuesit të import-it dhe shitjeve por vecanërisht nga të dhënat që konstatuan në drejtorinë e statistikës pranë Fondit, konstatuan një skemë të organizuar me qëllim përfitimi korruptiv të fondeve të rimbursimit në vlera shumë të mëdha.
“CFO Pharma”, në qendër të skemës
Në kallëzim thuhet gjithashtu se, në qëndër të kësaj skeme të organizuar qëndron distributori farmaceutik “CFO Pharma” në bashkëpunim me zyrtar të FSDKSH.
Shpërndarësit “Pharma Plus” (në pronësi në letra të Alba Zylfo) dhe “Medix Albania” (në pronësi në letra të Lorela Ballabani), janë shpërndarës të themeluar “de fakto” nga pronari i “CFO Pharma”, të cilët kanë lidhur kontratë me FSDKSH përkatësisht me datën 04.10.2024 dhe 24.04.2025, ku kanë deklaruar shifra të frikshme totalisht fiktive të gjëndjes fillestare të inventarit, me qëllimin shitjet më pas fiktive në “CFO Pharma” e më pas në farmacitë.

Subjekti “Pharma Plus” ka deklaruar 2000 kuti “Foster” dhe 1107 kuti “Trimbow” në vlerë 10 milion lekë të reja, pa asnjë blerje. Subjekti “Medix Albania” ka deklaruar 4 000 kuti “Foster” dhe 11 500 kuti “Trimbow”, në vlerë 60 milion lekë të reja, pa asnjë blerje.
Fakti, i miratimit të këtyre inventareve fiktive si dhe lidhja e kontratave të këtyre subjekteve nga zyrtarë të FSDKSH tregon qartë përfshirjen e zyrtarve të Fondit si pjesë e kësaj skeme. Shitjet fiktive të “Pharma Plus” dhe “Medix Albania” janë bërë drejt “CFO Pharma” e cila ka lëshuar fatura fiktive drejt disa farmacive.
Çfarë zbuloi Prokuroria
Nga hetimi ka dalë qartë se shtetaset Lorela Ballabani dhe Alba Zylfo “nuk kanë dijeni se si funksionojnë dhe se si operojnë përkatësisht subjektet “Nedix Albania” dhe “Pharma Plus”.
Të dyja nuk kanë dhënë shumë sqarime mbi veprimtarinë e subjekteve që administrojnë, pasi kanë deklaruar se nuk kanë patur dijeni për shumë detaje të rëndësishme të hëtimit.
Subjekti “Pharma Plus” e ka vend ushtrimin e aktivitetit në ambjentet e “CFO Pharma”, po ashtu aty ka dhe magazinën, ku gjatë kontrollit të ushtruar janë gjëtur një sasi e konsiderueshme e suplementit “Yovita Plus”, një pjesë prej të cilës “CFO Pharma” ia ka kaluar me fature shitje “Pharma Plus”, gjatë kohës që po kryhej kontrolli në magazinën e këtij subjekti.

Pra del qartë se kjo magazinë përdorej nga “CFO Pharma” dhe jo nga subjekti “Pharma Plus”. Fakt që provohet edhe me medikamentet e lëna në ambjentet e kësaj magazine nga “CFO Pharma”, për të cilat vendosi në dispozicion të hetimit një marrveshje pa datë e cila mund të ishte perpiluar edhe pas kontrollit të ushtruar nga organi procedues.
Këto detaje, si edhe të dhëna të tjera, kanë krijuar bindjen e Prokurorisë se “Pharma Plus” është krijuar dhe përdoret për llogari dhe nevoja të subjektit “CFO Pharma”, siç citohet në dosjen gjyqësore.
Po ashtu, subjekti “Nedix Albania”, nga analizimi i veprimtarisë financiare dhe tregtare rezulton se të gjithë aktivitetin e tij e ka kryer vetëm me subjektin “CFO Pharma”, duke i shitur këtij të fundit medikamente, për të cilat nuk dispononte gjëndje, duke falsifikuar faturat e blerjes, si dhe gjendjen e inventarit në sistemin “edepo”.
Adresa e ushtrimit të aktivitetit të subjektit “Nedix Albania”, është njëkohësisht adresë sekondare e subjektit “CFO Pharma”.
Nga kontrolli i ushtruar në Nedix Albanaia, janë gjetur vetëm produkte të subjektit “CFO Pharma” dhe jo medikamentet që ndodheshin në gjëndjen e inventarit të datës 02.10.2025. Kjo shoqëri e kishte blerë magazinën e mësipërme vetëm një ditë pasi “Nedix Albania” kishte lidhur kontratën e qirasë me palën shitëse.
Sipas prokurorisë, ky veprim është kryer me qëllim të drejtpërdrejtë nga administrator i subjektit “CFO Pharma”, për të patur nën kontroll dhe magazinën e “Nedix Albania”./boldnews







