Ballina Ekonomia Qeveria shpall thirrjen për vakancën e 3 anëtarëve të Këshillit Mbikëqyrës të...

Qeveria shpall thirrjen për vakancën e 3 anëtarëve të Këshillit Mbikëqyrës të BSH

21
0

Pas shpalljes së vakancave nga Kuvendi, Këshilli i Ministrave ka hapur zyrtarisht thirrjen për aplikim për tre anëtarë të rinj të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, organi më i lartë vendimmarrës i institucionit përgjegjës për politikën monetare dhe mbikëqyrjen bankare në vend.

Kandidatët që plotësojnë kriteret ligjore në fushën ekonomike, juridike dhe financiare ftohen të dorëzojnë dokumentacionin përkatës brenda afatit të përcaktuar, ndërsa përzgjedhja finale e tre anëtarëve do të bëhet nga Kuvendi, mbi propozimin e Këshillit të Ministrave, në përputhje me legjislacionin në fuqi.

Aplikanti duhet të plotësojë kriteret, si më poshtë vijon:

1. Të ketë:

a) arsimin e lartë ekonomik ose juridik;

b) përvojë profesionale në çështje financiare dhe bankare;

c) kualifikime profesionale të profilit;

ç) përvojë pune mbi 5 (pesë) vjet në administratën publike ose në institucionet financiare dhe bankare.

2. Të mos ketë pengesat e mëposhtme:

a) është dënuar nga gjykata për një vepër penale, për të cilën ligji parashikon dënimin me burgim;

b) është në pamundësi për të paguar detyrimet monetare ose është deklaruar i falimentuar dhe nuk është rehabilituar;

c) është ndaluar ose pezulluar nga gjykata të ushtrojë detyrën si nëpunës shtetëror apo në shërbimin publik ose të ushtrojë veprimtarinë apo mjeshtërinë;

ç) gjatë ushtrimit të detyrës, në mënyrë aktive merr pjesë në veprimtari politike.

Funksioni i anëtarit të Këshillit Mbikëqyrës është i papajtueshëm me atë të Presidentit të Republikës së Shqipërisë, të deputetit në Kuvend, të anëtarit të Këshillit të Ministrave, si dhe të punonjësit, të administratorit dhe të aksionarit, me pjesëmarrje ndikuese në bankën e nivelit të dytë ose në subjektet që licencohen nga Banka e Shqipërisë.

Dokumentet që duhet të dorëzohen janë:

⦁ Kërkesë për aplikim;

⦁ Kopje e letërnjoftimit;

⦁ Curriculum Vitae në gjuhën shqipe;

⦁ Dokumente të diplomimit dhe të kualifikimeve profesionale të kërkuara;

⦁ Dokument që të provojë vjetërsinë në profesion;

⦁ Formular të plotësuar e të firmosur të vetëdeklarimit për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike, në përputhje me ligjin nr.138/2015, të ndryshuar;

⦁ Vetëdeklarim se nuk është në pamundësi për të paguar detyrimet monetare ose deklaruar i falimentuar;

⦁  Vërtetim nga Gjykata se nuk është i dënuar me vendim të formës së prerë për kryerjen e veprave penale.

⦁ Vetëdeklarim se gjatë ushtrimit të detyrës nuk merr pjesë në mënyrë aktive në veprimtari politike.

(Deklarimi i rremë, përveç përgjegjësisë penale sipas ligjit, sjell përjashtimin nga çdo procedurë e mëtejshme.)

Afati i dorëzimit të aplikimit, deri më 26 dhjetor 2025.