Bashkimi Europian ka ngritur kundërshtime të forta ndaj propozimit të qeverisë shqiptare për Amnistinë Fiskale, të përfshirë në paketën fiskale të vitit 2026. Paralajmërimi erdhi gjatë takimit të 16-të të Nënkomitetit për Tregtinë, Industrinë, Doganat dhe Tatimet midis BE-së dhe Shqipërisë, i zhvilluar në Tiranë më 25-26 nëntor.
Përgjigja ka ardhur edhe pas një letre ankese të dërguar nga deputetja e PD-së Jorida Tabaku në Bruksel në lidhje me këtë projekt të Edi Ramës, që pritet të falë miliarda euro ndaj biznesmenëve të shumtë.
Gjatë diskutimeve me autoritetet shqiptare, përfaqësuesit e Komisionit Europian theksuan se disa nga masat e planifikuara në këtë paqe fiskale mund të dekurajojnë përmbushjen e detyrimeve tatimore, duke krijuar rrezik për uljen e kulturës së pagesës dhe respektimit të ligjit. Komisioni nënvizoi se çdo hap në këtë drejtim duhet të shoqërohet me garanci të forta kundër pastrimit të parave, duke paralajmëruar se drafti aktual nuk i plotëson këto standarde.
Po ashtu, BE ka kërkuar nga qeveria shqiptare që të vazhdojë angazhimin për reduktimin e përjashtimeve të shumta tatimore, të cilat prej vitesh evidentohen nga institucionet ndërkombëtare si një burim i madh deformimesh dhe humbjesh në sistemin fiskal.
Deklarata e BE-së pas takimi të 16-të i nënkomitetit për Tregtinë, Industrinë, Doganat dhe Tatimet midis BE-së dhe Shqipërisë:
Takimi i 16-të i Nënkomitetit për Tregtinë, Industrinë, Doganat dhe Tatimet midis Bashkimit Europian dhe Shqipërisë u mbajt më 25 dhe 26 nëntor 2025 në Tiranë. Nga ana e BE-së, përfaqësues të Komisionit Europian diskutuan me autoritetet përkatëse shqiptare zhvillimet më të fundit në këto fusha.
Në fushën e tatimeve, Komisioni përshëndeti miratimin e Strategjisë Afatmesme të të Ardhurave dhe ndau pikëpamjet fillestare mbi zbatimin e disa prej masave të saj. Komisioni vlerësoi përpjekjet për përgatitjen e projekt-legjislacionit për tatimin direkt, konkretisht Direktivën për Bashkëpunimin Administrativ 2 (DAC2), Direktivën Kundër Shmangies së Tatimeve (ATAD) si dhe direktivën për bashkimet dhe blerjet.
Komisioni shprehu shqetësime serioze për disa masa të përfshira në propozimin për Amnistinë Fiskale, si pjesë e paketës fiskale për vitin 2026, pasi ato mund të dekurajojnë përmbushjen e detyrimeve tatimore. Po ashtu, BE përsëriti nevojën për masa të forta kundër pastrimit të parave në këtë propozim dhe për vijimin e përpjekjeve për uljen e numrit të madh të përjashtimeve tatimore.
Në fushën e doganave, Komisioni përshëndeti përparimin në përafrimin legjislativ me acquis doganor të BE-së, përpjekjet e vazhdueshme të Shqipërisë për t’iu bashkuar Konventës së Tranzitit të Përbashkët dhe pjesëmarrjen e saj në Programin Doganor të BE-së, në veçanti për vendosjen e portës së nevojshme ÇN për lidhje me sistemet e BE-së. Komisioni vuri në dukje bashkëpunimin ndërkombëtar të Shqipërisë në zbatimin e ligjit dhe përpjekjet në luftën kundër mashtrimit dhe kontrabandës.
Në fushën e lëvizjes së lirë të mallrave, Komisioni inkurajoi Shqipërinë të përfundojë sa më shpejt përpjekjet për t’u bërë anëtare e plotë e Komitetit Europian për Standardizim dhe e Komitetit Europian për Standardizim Elektroteknik (CEN/CENELEC). Komisioni gjithashtu i kërkoi Shqipërisë të përfundojë planin e veprimit për përafrimin me kërkesat e neneve 34-36 të Traktatit për Funksionimin e BE-së dhe praktikën përkatëse të Gjykatës së Drejtësisë, veçanërisht për fushat e pa harmonizuara, si dhe të përshpejtojë përpjekjet për përafrimin e legjislacionit për produktet, përfshirë edhe sigurimin e përafrimit të plotë me acquis-in për mjetet motorike deri në fund të vitit 2026.
Në lidhje me politikën industriale të BE-së dhe ndërmarrjet e vogla dhe të mesme (NVM), Komisioni përshëndeti përditësimin e Shqipërisë mbi përgatitjen e Strategjisë Kombëtare Industriale 2026-2030 dhe Politikës Kombëtare për NVM-të 2026–2030. U theksua rëndësia që këto strategji të jenë të koordinuara dhe koherente me dokumentet ekzistuese, përfshirë Strategjinë për Zhvillimin e Biznesit dhe Investimeve (BIDS) dhe Planin e ardhshëm të Veprimit për përmirësimin e renditjes së Shqipërisë në Indeksin e Politikave për NVM të OECD-së. Komisioni u njoh me punën në vazhdim të Shqipërisë për projektligjin për Investimet dhe përshëndeti përpjekjet për promovimin e Programit të Tregut të Përbashkët. Po ashtu, u bë e ditur se Shqipëria së shpejti do t’ia dërgojë Komisionit për shqyrtim dispozitat që lidhen me përafrimin me Direktivën e BE-së për pagesat e vonuara.
Në fushën e politikës tregtare, Komisioni vlerësoi përparimin e përgjithshëm të bërë nga Shqipëria gjatë vitit të kaluar në drejtim të përmbushjes së standardeve përmbyllëse. Komisioni mori në konsideratë pozitivisht ecurinë e punës për përafrimin me Rregulloren e BE-së 2021/821 mbi kontrollin e eksporteve të mallrave me përdorim të dyfishtë. Po ashtu, Komisioni përgëzoi Shqipërinë për progresin e arritur në përafrimin me Rregulloren e BE-së 2019/452 për verifikimin e investimeve të huaja direkte. Nga ana e saj, Shqipëria bëri të ditur se aktualisht nuk ka në plan negociata për Marrëveshje të Tregtisë së Lirë me vende të treta.







