Është bima më e shtrenjtë që kultivohet në Shqipëri. Një gramë nga pluhuri i saj kushton 20 euro.
Bima e shafranit është një kulturë e re e cila po zgjon interesin e fermerëve të zonës së Dumresë, për ta rritur e për ta prodhuar. Quhet ndryshe ari i kuq.
Është erëza më e shtrenjtë në botë dhe ndër tre ushqimet më të shtrenjta bashkë me tartufin e bardhë apo kavjarin. Kjo bimë tashmë gjendet edhe në qarkun e Elbasanit, pasi prej disa vitesh Dervish Elezi nga Belshi e kultivon dhe e tregton. Sipas tij, shafrani është një bimë shumë delikate e kërkon kujdes të veçantë për t’u rritur.
Elezi thotë se kjo bimë jep shumë pak prodhim, aq sa një hektarë tokë të mbjellë me të, merr vetëm 800 gramë pluhur shafrani.
Elezi rendit arsyet përse cilësia e shafranit që kultivohet në Dumre, nuk gjendet në asnjë vend tjetër.
Shafrani i Dumresë, veç tregtimit në Shqipëri, pjesa më e madhe e saj eksportohet edhe drejt Italisë. Kjo për shkak se në vendin tonë mungojnë njohuritë mbi përdorimin dhe efektet që kjo bimë jep në shëndet.
Ndërsa për Nexhip Elezin, i cili prej 10 vitesh merret me kultivimin dhe rritjen e shafranit, delikatesa e kësaj bime thotë që ja vështirëson punën.
Pas mbledhjes, fillon pjesa më e vështirë e punës, që është procesi i tharjes dhe ndarjes së pistilave nga lulja. Gjithçka bëhet në ambient steril e të kontrolluar.
Shafrani është ilaç natyral për stresin dhe depresionin e ndihmon po ashtu në zbutjen e sëmundjeve si Alzheimer. Nga vitaminat, shafrani në sasi të konsiderueshme përmban vitamin C, tiaminë, riboflavin, niacin, acid folik dhe vitamina B6.
Falë karakteristikave të saj në kuzhinë, në ngjyra, parfume e vajra, si edhe një ilaç natyral e mbrojtës për shëndetin, shafrani renditet ndër bimët më të mrekullueshme të zbuluara nga njeriu







