Pas ndërprerjes së reshjeve të shiut që zgjatën për disa javë, këtë fundjavë është regjistruar një rritje e ndjeshme e lëvizjeve në pikën kufitare të Morinës.
Qytetarë të shumtë nga Kosova kanë zgjedhur të udhëtojnë drejt Shqipërisë, duke rritur fluksin e hyrjeve në vend. Përveç udhëtimeve për arsye pune, një pjesë e qytetarëve vizitojnë qytete të ndryshme të Shqipërisë edhe për argëtim dhe pushime të shkurtra.
“Vijmë nga Vushtrria dhe jemi nisur për në Tiranë” – shprehen për RTSH disa të rinj.
“Shkojmë për qejf, por edhe për të marrë disa pjesë për makinën. Më shumë lëvizim në Durrës, Tiranë” – u shpreh një familjar.
“Nuk ka nevojë të kemi kufij, unë vij shpesh për Tiranë dhe Durrës” – tha një tjetër qytetar nga Kosova.
Në pikën kufitare të Morinës vijon kalimi me procedurë të përshpejtuar, në bazë të marrëveshjes mes dy qeverive. Sipas të dhënave zyrtare, gjatë 24 orëve të fundit kanë hyrë dhe dalë në territorin shqiptar mbi 11 mijë persona dhe rreth 7 600 automjete.







