Ballina Kulturë Romani “Klasiku V”, kulmi grotesk i një diktature

Romani “Klasiku V”, kulmi grotesk i një diktature

25
0

Nga NDUE DRAGUSHA

Sapo mbyll faqen e fundit të romanit “Klasiku V” të shkrimtarit Ndue Dedaj, mbetesh me një përzierje emocionesh të forta: një ndienjë kënaqësie estetike për fuqinë e rrëfimit dhe, në të njëjtën kohë, një dhimbje të mprehtë për tragjeditë e përshkruara. Autori ka arritur të ngrejë një vepër artistike të rrallë, një pasqyrë të paepur të një periudhe të errët të përsekutimit komunist në Shqipëri, duke na dhënë një narrativë aq të vërtetë sa edhe tronditëse.

Romani hapet mbi tingullin e një sentence popullore: “Ka lujt boshti i tokës, o njerëz! Për qiell e për dhè…”, të shqiptuar nga një figurë enigmatike, që shfaqet herë pas here, si një lloj orakulli që mbart peshën morale të veprës. Kjo frazë bëhet prologu i një udhëtimi dramatik drejt një kohe kur errësira ideologjike kishte mbuluar vendin, duke mohuar lirinë, individualitetin, mendimin e lirë dhe dinjitetin njerëzor.

Ngjarjet zhvillohen në Veri, në zonën malore të Dyfandorës, një hapësirë që autori e ka ngarkuar me atmosferë, traditë dhe simbolikë. Personazhet janë të ndërtuar me mjeshtëri dhe mbartin gjithë peshën e realiteteve shoqërore të kohës:

Justina Mazreku, një intelektuale e formuar, e specializuar në etnografi, mishërimi i gruas së kulturuar, që rrëzohet nën dhunën makabre të pushtetit.

Arsen Petrela, ekonomist i diplomuar në Bashkimin Sovjetik, njeriu që endet mes profesionit, ironisë dhe absurdit të sistemit totalitar.

Prokop Vrana, ish partizani që vetëshpallet i vdekur për t’i shpëtuar diktaturës, figura që sjell një dramë të veçantë ekzistenciale.

Bib’dod Orosi, ndoshta personazhi më enigmatik i romanit, një njeri i mençurisë popullore, i cili shfaqet me sarkazmë, humor të hidhur dhe filozofi therëse.

Hetem Borani, i Plotfuqishmi i tmerrshëm i burgut politik, një produkt i një shoqërie të degraduar nga ideologjia dhe dhuna, ku poshtërimi bëhet profesion.

Në sfond, si një fantazmë e kudogjendur, qëndron figura e Klasikut V, udhëheqësit që përpiqet të vetëshpallet në panteonin e klasikëve të marksizëm-leninizmit, një kulm grotesk i një diktature që ushqehej me adhurim të verbër.

Autori ndërton një tablo të gjallë dhe tronditëse të jetës nën diktaturë: hetuesitë çnjerëzore, burgjet politike, jeta e degraduar morale, terrori psikologjik, spiunë të vendosur në çdo qoshe, një popull i droguar nga ideologjia.

Përmes personazhit Spiuni X, që mbledh “fjalë të rralla”, Dedaj ironizon në mënyrë të shkëlqyer mekanizmin absurd të kontrollit të fjalës dhe mendimit.

Momente kulmore të tragjedisë njerëzore përshkojnë faqet, si historia e fëmijës 14-vjeçar të dënuar me 7 vjet burg, i cili vritet mbi tela gjatë tentativës për arratisje, pasi kishte bërë katër vite burg dhe nuk lejohej që trupi i tij të merrej nga e ëma, ngaqë ai nuk e kishte kryer kohën e dënimit, ose përdhunimi i Justinës nga i Plotfuqishmi i burgut, që simbolizon poshtërimin total të individit nga pushteti.

Në roman, represioni i pushtetit është sistematik: ai është vetë struktura e shtetit totalitar, një mekanizëm që përtyp njerëz, ide, jetë, besim, Zot, moral. Atë e gjejmë në çdo qelizë të rrëfimit: në gjyqet farsë, në arrestimet imagjinare, në fabrikimet e provave, në luftën kundër Zotit, në servilizmin e verbër ndaj “Klasikut V”.

Shkrimtari Ndue Dedaj shkruan me një gjuhë të pasur, metaforike dhe të qartë njëkohësisht. Dialogjet janë organikë, karakteret të besueshëm, rrjedha narrative e përmbajtur dhe me ritëm. Ai përdor mençurinë popullore, sarkazmën e hollë dhe filozofinë e malsorit si mjete të fuqishme artistike për të çarmatosur terrorin dhe absurdin.

Romani është ngjizur mbi themele sociale dhe psikologjike të qëndrueshme, duke treguar tensionin e madh mes popullit dhe pushtetit ideologjik, mes mendimit të lirë dhe diktatit të dhunës, mes ndërgjegjes dhe frikës.

Karma është motivi i nëntekstit. Ajo shfaqet në revoltën e të burgosurve, në gjakun e derdhur, në shpërthimin e Revolucionit Demokratik, kur sistemi u shemb dhe njerëzit kërkuan dinjitetin e tyre të humbur. Por autori mbetet skeptik: edhe pas revolucionit, ai vëren rrezikun e “busteve të reja”, të një mentaliteti që rrezikon të riciklojë idhujt dhe servilizmin.

Në fund, pyetja që sjell Dedaj përmes figurës së Prelë Mitrit, intelektualit idealist që “ishte marrë peng”, tingëllon si një kambanë e hidhur që paralajmëron se historia mund të përsëritet.

“Klasiku V” është një roman i fuqishëm, me vlera artistike, historike dhe filozofike. Ndue Dedaj arrin të ndërtojë një panoramë tronditëse të një kohe të errët pa e varfëruar artin. Është një libër që lexon ndienjën, mendjen dhe ndërgjegjegjen njëkohësisht. Një vepër që e nderon letërsinë e kujtesës dhe që e fton lexuesin të mos harrojë, të mos heshtë dhe të mos lejojë që bota të kthehet edhe një herë në orbitën e errësirës.