Ballina Politika Berisha: Lubi Balluku, e penduara e parë publike në Shqipëri

Berisha: Lubi Balluku, e penduara e parë publike në Shqipëri

0
39

Përmes një postimi në rrjetet sociale, kreu i PD, Sali Berisha ka komentuar hetimet mbi Ballukun.

Berisha shkruan se Belinda ka vendosur të marrë me vete dhe Edi Ramën.
Ai e cilëson atë si të penduarën e drejtësisë.

Postimi i plotë
Më mirë e penduara e Sovranit se sa e penduara e Dumanit!

Lubi Balluku, e penduara e parë publike në Shqipëri.

Miq, pas komunikimit në prokurori të akuzës për vjedhje të 50 milionë eurove vetëm me tunelin e Llogarasë, me Lubi Ballukun ka ndodhur diçka e paparë ndonjëherë në tërë historinë e shtetit shqiptar. Ajo, në një vendim që lë mbrapa edhe Ledi Makbeth, vendosi të bëhet e penduar. Por i tha vetes: “Më mirë e penduara e Sovranit se e penduara e Dumanit.” Pas këtij betimi, ajo shpalli publikisht moton “Do t’ju marrë me vete” dhe e shpërndau atë rrufeshëm skaj e anë të narkoshtetit. Moton ajo e mori nga balada “Cili viu, viu, viu, kush ia bën, ia bën vetiu.” Me këtë moto, njëlloj si balada, Lubia, tashmë e penduara e Sovranit, lemeriti deri në palcë kupolën e mafies shtetërore: vetë Ramën, ministrat, zyrtarë të lartë, gjyqtarë, prokurorë, kryepolicë etj., por edhe shërbëtorët e paguar të saj në media.

Të dashur miq, me shumë të drejtë ju pyesni: pse Lubia vendosi të bëhet Nuredin Dumani qeveritar publik? Pse ajo mori këtë rol? Përgjigjja është komplekse.

Së pari, ajo mori këtë rol sepse ajo dinte për Ramën dhe narko-nomenklaturën më shumë se kushdo tjetër, madje edhe se vetë Rama dhe Hyseni, apo dhe më shumë se ç’dinte Nuredini për Talon, Suelin, Taon e tij. Bistri dhe Agim Ismaili, me urdhër dhe për llogari të saj, kishin regjistruar dhe hakeruar për vite e vite cilindo që ajo i kishte urdhëruar. Lubia ka në dorë arkivën më të pasur të bisedave, mesazheve, videove intime dhe fotove të ministrave, deputetëve, zyrtarëve përfshirë këtu Ramën, Vlorë Hysenin, Ergys Agasin, prokurorëve, gjyqtarëve, por edhe ambasadorëve, gazetarëve, kundërshtarëve, si dhe lajkatareve etj.

Së dyti, tek Lubia u zgjua geni i keq. Ajo është mbesa e një serial killeri gjakftohtë, terroristit Beqir Balluku, të cilin e kishin në diktaturë të gjithë frikë, madje edhe vetë serial killeri më brutal i regjimit, Mehmet Shehu. Pra, terrorin e ka në gjen, ndaj dhe menjëherë pas vendimit të saj për t’u bërë e penduara e Sovranit, Lubia vendosi:

Së pari, ajo ditën që SPAK-u i komunikoi akuzën, i komunikoi Ramës vendimin e saj për ta marrë me vete atë në rast se nuk do ta mbronte dhe secilin që do guxonte të hapte gojën kundër saj.

Së dyti, zgjoi në mesnatë makinerinë e gossip-it dhe mbushi Tiranën në çdo skaj e cep të saj me çuçurimën se “në Ankara më mori Rama” dhe se “për tunelin e Llogarasë kam zbatuar vetëm urdhrat e tij, ndaj dhe do ta marr me vete për leckash palloshin e gjatë.”

Së treti, po atë mesnatë, urdhëroi dhe pariti njeriun më të afërt të Ramës në media, ideologun e narkoshtetit Baton Haxhiun, të botojë editorialin me titull Korrupsionin gjeopolitik e bën kryeministri dhe nuk mund ta bëjë ministri, duke pohuar kështu se 50 milionë euro në tunelin e Llogarasë nuk janë vjedhur nga Lubia, por nga Rama, sepse ajo ishte “vjedhje gjeopolitike”, kompetencë e kryeministrit, dhe se ajo, me urdhër të tij, tenderin e tunelit të Llogarasë ia dha kompanisë turke me ofertë 190 milion euro dhe jo kompanisë së dytë me ofertë 140 milion euro. Pas Batonit, me këto teza u vërsulën mbi publikun pa mëshirë pasi u paritën edhe Top Tuneli, Sokol B., Ymer Çorapje e shumë të paritur të tjerë.

Së katërti, ajo, tashmë e penduara e parë publike, të nesërmen e komunikimit të aktakuzës i kërkoi Ramës të mblidhte me urgjencë në selinë e PS qeverinë dhe kryesinë e PS. Në këtë mbledhje, me tone të egra kërcënuese të një prokuroreje, ajo iu drejtua të pranishmëve se “kushdo që do guxonte të çilte gojën, ajo do ta merrte me vete!”. Kurse Rama, duke i bërë një mbrojtje të plotë dhe pa kushte asaj, iu tha ministrave dhe anëtarëve të kryesisë së PS se SPAK-u ka sulmuar Partinë Socialiste dhe se Belinda nuk ka bërë asgjë, por gjithçka, e tëra kjo mesele është kundër tij, ndaj “mos guxoni ta sulmoni.”

Së pesti, kulmin e suksesit, Lubi Balluku, e penduara publike, e pati në kacafytjen prej 7 orësh me Edi Ramën në zyrën e tij.

Në këtë takim, Rama i kërkoi Lubisë dorëheqjen duke e siguruar se ai nuk do pranonte kurrë heqjen e imunitetit dhe arrestimin e saj, madje ai do bënte që SPAK-u të mos guxonte të kërkonte ndonjëherë një gjë të tillë. Kurse Lubia kërkoi prerë nga Rama që të mos zbatohej vendimi derisa ta shqyrtonte Gjykata e Lartë dhe të dërgonte ai dhe Këshilli i Ministrave kërkesën për pezullimin e vendimit të GJKKO.
Rama, në prani të dy dëshmitarëve, refuzoi kërkesën e saj të përsëritur që ai dhe Këshilli i Ministrave, dhe jo ajo vetë, t’i drejtoheshin Gjykatës Kushtetuese. Pas 7 orësh negociatash, Rama ndërpreu takimin për një darkë me mysafirë të lartë, dhe pas largimit të saj, u tha Ulziut dhe Don Agacios se pas darke ai di t’i mbushë mendjen asaj të japë dorëheqjen. Në fakt, ai takim nuk u zhvillua, sepse gjatë darkës Lubia i zuri atij kafshatën në fyt duke i dërguar me dhjetëra mesazhe, por edhe dokumenta dhe video nga dosja e SPAK-ut dhe arkiva e saj, me të cilat ia bëri darkën zeher dhe e bindi Ramën se dosja e Lubisë, de facto dhe de jure, ishte dosja më së pari e tij, dhe se aq sa mund të ndash tymin me blozën, mund t’i ndaje në atë dosje ata nga njëri-tjetri.

Të nesërmen, Rama, me të gdhirë, urdhëroi Don Agacion që, në një akt të pashembullt në historinë e Europës, të padisë në emër të tij dhe të Këshillit të Ministrave në Gjykatën Kushtetuese vendimin e GJKKO për pezullimin nga detyra të Lubisë.

Së gjashti, pas këtij vendimi, ata të dy u vërsulën publikisht dhe fshehtas me të gjitha mjetet e presionit ndaj anëtarëve të gjykatës. Rama mashtroi publikisht çdo ditë shqiptarët. Ai shkoi aq larg sa shpiku opinione të Komisionit të Venecias që nuk ekzistonin, të cilat, sipas tij, nuk lejonin pezullimin e ministrit (lexo: kryeministrit) nga gjykata. Kurse vetë Lubia u mor me paritjen e gjyqtarëve, por edhe postime në emailet dhe celularët e tyre të perlave të mëkateve të tyre nga arkivi i saj.

Në të vërtetë, Lubia, e penduara publike, arriti me shpejtësi të pabesueshme të shpërfytyrojë pa u mbledhur për vendim Gjykatën Kushtetuese, e cila, duke shkelmuar mbi Kushtetutën dhe precedentin e vet, caktoi ditën e shqyrtimit dhe shpalljes së paligjshme të pezullimit nga detyra të Lubi Ballukut më 12 dhjetor.

Si përfundim, miq, Lubia, e vetme por e penduar publike, triumfoi dhe tani, njëlloj si në balladë: “Cili viu, viu, viu, kush ia bën, ia bën vetiu”, keni parë s’keni parë, shkon një i vdekur me një të gjallë, të dy hipur në të njëjtin kalë!
#sb