Ballina Aktualitet Fshati që po shuhet, nuk ka fëmijë/ Më i riu është 65...

Fshati që po shuhet, nuk ka fëmijë/ Më i riu është 65 vjeç, mbyllet shkolla në fshatin Andon Poçi në Gjirokastër

0
30

Vetëm 7 kilometra larg Gjirokastrës ndodhet fshati Andon Poçi, aty ku jeta duket sikur është ndalur në kohë.

Shkolla 9-vjeçare e fshatit, që dikur mblidhte rreth 120 nxënës, sot është e mbyllur me dry. Në fshat nuk ka më asnjë fëmijë, ndërsa edhe të rinjtë janë larguar prej vitesh.

Më i riu në fshat është 65 vjeç, ndërsa pjesa tjetër janë të moshuar mbi 70 vjeç, që jetojnë vetëm dhe punojnë tokat për të mbajtur veten.

Njëri prej atyre që e kujton me mall kohën kur fshati kishte jetë, është Nasho Shituni, ish-mësuesi i shkollës. Ai ka dhënë mësim aty për 20 vite dhe sot, në moshën 85-vjeçare, e sheh me dhimbje gjendjen në të cilën ka mbetur godina.

“Shkolla ka qenë e rregullt, me nxënës të mirë dhe prindër të përkushtuar. Më vjen keq ta shoh kështu sot”, thotë ndër të tjera ai.

Në Andon Poçi, shumica e shtëpive janë bosh dhe rrugicat përshkohen vetëm nga hapat e të moshuarve.

“Na merr malli të dëgjojmë një zë fëmije”, thonë banorët

Në Andon Poçi, si në shumë fshatra të tjerë të Gjirokastrës, boshatisja dhe mbyllja e shkollave janë pasojë e largimit të të rinjve dhe emigracionit të vazhdueshëm.