Ballina Dossier Musine Kokalari dhe fletët e ditarit të një gruaje që regjimi e...

Musine Kokalari dhe fletët e ditarit të një gruaje që regjimi e dënoi, por nuk e mposhti dot

34
0

Për Musine Kokalarin janë shkruar me dhjetëra, në mos qindra biografi, shkrime dhe të gjitha bashkë kanë përcjellë kush më shumë e kush më pak të vërtetat e një gruaje të fortë, të mençur, të shkolluar dhe idealiste që kaloi kalvarin e vuajtjeve si rrallëkush në komunizëm, por që i mbijetoi regjimit me forcë dhe kryelartësi dhe nota cinizmi si rrallëkush. Musineja nuk u shfaq kurrë si heroinë e librave që ajo aq shumë i donte dhe i kish lexuar me zell e ëndje. Mendja e saj e hollë bluante prej kohësh ide shumë larg atyre mbi të cilat po ndërtohej Shqipëria e pas Luftës së Dytë Botërore. Ajo çfarë ndodhi me të është e ditur për shumicën prej nesh. Arrestimi, burgu, torturat, vrasjen pa gjyq të dy vëllezërve, familja e shkatërruar, internimi dhe vitet e vetmisë së madhe në Rrëshenin kaq të largët nga Gjirokastra e saj e dashur. Madje pjesa më e madhe e shqiptarëve nuk e kanë harruar dhe reagimin e famshëm të diktatorit kur Pen Club International në vitet ’60, në një letër i kërkonte lirimin e saj, të thoshte: “akoma gjallë është rrospia?”. Dhe ndërkohë Musineja ishte e gjallë dhe e internuar në Rrëshen që në vitin 1977, kur ishte 60 vjeç, këtë herë kërkonte nga regjimi një vend në azilin për të sëmurët. E palëkundur në krenarinë e saj edhe në momentet e dobësisë më të mëdha fizike për shkak të moshës dhe lodhjes së burgut dhe internimit të gjatë në Rrëshen, sikur të ishte sërish 20-vjeçarja para gjyqit komunist, ajo shkruan me të njëjtin pasion dhe kokëfortësi ne ditarin e saj:

Ja unë, ajo vajza e thjeshtë që Teto Hanëmi i Malës më shquante që larg, tani në 60-vjetorin e ditëlindjes time po filloj të shkruaj kujtime nga jeta teme e thjeshtë dhe se si komunistët më varrosën për së gjalli, vetëm e vetëm si nxënëse e Sami Frashërit.
Dhe nuk u kërkova falje në gjyq për aktivitetin tim. Dhe pse do t’u kërkoja falje? Unë s’isha komuniste, isha demokrate dhe e shikoja demokracinë si nxënëse e Rilindjes si dualitet politik. U dënova jo për faj. Por me mua donin të dënonin Rilindjen, vdekjen politike të saj. Dhe vetëm atë, mbasi punën e madhërishme të “tyre” çdo ditë e ngrenë lart e më lart, s’kanë si ta mohojnë atë.

Musine Kokalari dhe fletët e ditarit të një gruaje që

E si të mos mjaftonte kjo, në këtë letër që me gjasë do të përfundonte në koshat e sekretarëve të partisë që në vitet e fundit as merrnin mundimin të lexonin letrat e Musine Kokalarit, ajo vijonte të shkruante biografinë e saj. Atë të vërtetën, atë që dhe ne duhet të lexojmë sot.

Autobiografi e shkurtër

Musine Kokalari, e bija e Reshat dhe Hanushe Kokalarit, lindur në Adana (Turqi) më 1917, jetuar në
Gjirokastër pas kthimit në atdhe, më
vonë në Tiranë.
Shtresë e mesme qytetare, bërë
studimet e larta. Nxënëse e Epokës
së Rilindjes dhe gjithë pasardhëse
të saj. Marrë me folklor dhe etnografi.
Bëra burg, pastaj e internuar në Rrëshen.
Punuar në kazmë, kam ndërtuar
qytetin ku u vendosa përfundimisht pas pensionit.
E pamartuar, mbeta vetëm pas
vdekjes së prindërve, me keqësimin e shëndetit, drejtuar Seksionit të Shëndetësisë për të më bërë vend në një nga azilet ku ndodhen të sëmurët. Ja unë, ajo vajza e thjeshtë që Teto Hanëmi i Malës më shquante që larg, tani në 60-vjetorin e ditëlindjes time po filloj të shkruaj kujtime nga jeta teme e thjeshtë dhe se si komunistët më varrosën për së gjalli, vetëm e vetëm si nxënëse e Sami Frashërit.
Dhe nuk u kërkova falje në gjyq për aktivitetin tim. Dhe pse do t’u kërkoja falje? Unë s’isha komuniste, isha demokrate dhe e shikoja demokracinë si nxënëse e Rilindjes si dualitet politik. U dënova jo për faj. Por me mua donin të dënonin Rilindjen, vdekjen politike të saj. Dhe vetëm atë, mbasi punën e madhërishme të “tyre” çdo ditë e ngrenë lart e më lart, s’kanë si ta mohojnë atë.

Musine Kokalari vdiq më 14 gusht 1983, nga kanceri. Ata që ishin pranë saj tregojnë se nuk iu dha mundësia as të kurohej në spitalin onkologjik. Letrat e saj njihen vetëm pjesërisht dhe sa më shumë zbulon prej tyre, kupton thellësinë e mendimit të një shpirti të lirë, mendimtareje të thellë dhe të një brezi intelektualësh që mund ta kishin shpëtuar Shqipërinë nga ferri komunist./vna