Ballina Kulturë Poezia e Wisława Szymborska vjen në Tiranë nga drejtuesi i fondacionit me...

Poezia e Wisława Szymborska vjen në Tiranë nga drejtuesi i fondacionit me emrin e saj

0
32

Në një event të veçantë kushtuar letërsisë dhe poezisë, Michał Rusinek ish-sekretari i poetes nobeliste, Wisława Szymborska dhe aktualisht drejtues i fondacionit që mban emrin e saj, u takua me publikun në Tiranë, për të folur mbi poezinë e Szymborskës dhe rolin që letërsia luan në jetën e përditshme.

Profesor në Universitetin Jagiellonian të Krakovit, përkthyes dhe autor i eseve dhe tregimeve, Rusinek solli shembuj konkretë se si lojërat me gjuhën, humorin dhe ironinë në poezinë e Szymborskës mund të trajtojnë tema shumë serioze, duke i bërë ato të prekshme dhe të afërta për lexuesit.

Bashkë me moderatoren Belfjore Qose, biseda u fokusua tek mënyra se si Szymborska vë në qendër njeriun e zakonshëm, duke i kushtuar vëmendje detajeve të përditshmërisë dhe pyetjeve që lidhen me identitetin, kujtesën dhe botën ku jetojmë.

Publiku pati mundësinë të kuptojë më mirë stilin unik të poetes, të cilin Rusinek e përshkroi si një kombinim të hollësisë observuese, ironisë delikate dhe reflektimit filozofik mbi jetën.

Ky takim ofroi një hapësirë për reflektim dhe diskutim mbi letërsinë si pasqyrë e jetës së përditshme dhe si mjet për të kuptuar botën dhe veten tonë, duke afruar publikun me botën e pasur dhe të gjallë të Wisława Szymborskës.

Takimi u zhvillua në kuadër të edicionit të dytë të Festivalit të Letërsisë Evropiane në Tiranë, organizuar me mbështetjen e Zyrës së Delegacionit të BE-së.