Në vend që të jenë mburojë për krimin, ata shndërrohen në ombrellë të krimit. Operacioni i fundit i SPAK tregoi edhe një herë se një zyrtar policor u vu sërish në shërbim të krimit.
“Policia është aset, dhe gjithëkujt i duhet një aset aty brenda për t’i dhënë informacion, për t’i lehtësuar procedurat dhe mbi të gjitha për t’iu shmangur pjesës së drejtësisë. Rekrutimi kryhet në mënyra nga më të ndryshmet“, shprehet Gert Metani, pedagog, ekspert i sigurisë publike.
“Ata i përgatisin, janë ushtarët e tyre. Grupet kriminale i trajnojnë, pastaj i çojnë t’i certifikohen në Akademinë e Sigurisë, bëhen oficerë dhe mundohen t’i vjelin sa më tepër. Ka raste të tjera kur personi është aty, ka një rol kyç, bie pre. Kjo do të thotë se ai person e ka një çmim; mund të jetë para, mund të jetë një nder, mund të jetë një favor, mund të jetë një mbrojtje. Kanë marrë maksimumin në atë post dhe e dinë më së miri se sa vlen lëkura e tyre.”
Fushëveprimi i jashtëligjshëm është i gjerë, thotë eksperti.
“Legjitimojnë ato call center që merren me forex, me mashtrime të ndryshme; i mbajnë të hapura duke ditur aktivitetin e tyre të paligjshëm, por nga ana tjetër shpërblehen me ato para. Mbajnë bastet të hapura, edhe pse bastet janë të palejuara; mbajnë lojërat e fatit. Në çdo festival që organizohet, ka dyshime se zyrtarë ose agjentë të krimeve janë të përfshirë në këtë pjesë. Ka edhe persona që punojnë në strukturat më të larta të Policisë së Shtetit, të cilët operojnë si bodyguardë, pra si rojtarë të këtyre personave.”
Kryeprokurori i SPAK, Altin Dumani, gjatë raportimeve vjetore ka ngritur problemin se në institucionin e drejtuar prej tij, hetimet e nisura mbi bazën e kallëzimeve nga Policia e Shtetit kanë pasur një rënie drastike. Më 27 nëntor, në pranga përfundoi oficeri i operacionales, Igli Haxhiaj, i cili përmes SKY ECC shiste informacione, duke paralajmëruar anëtarë të grupeve kriminale që transportonin drogë se ishin vënë në përgjim familjarisht.
Jeton Lami, me të njëjtin pozicion në Policinë e Shtetit, u dënua për shpërdorim detyre, pasi ishte i fundit person që ka shoqëruar Ervis Martinajn, ndërsa pak ditë më parë u arrestua për gjobëvënie prej 500 mijë eurosh ndaj një biznesi në Kamëz.
Oltion Bistri, shefi i këtij sektori, gjithashtu u dënua me 3 vjet burg për zbulim të akteve sekrete. Por lista është e gjatë dhe shumica e tyre dolën zbuluar nga rënia e aplikacioneve të koduara, EncroChat dhe Sky ECC.







