Ballina Editorial Profesioni si mision: Trashëgimia e Dumanit në SPAK

Profesioni si mision: Trashëgimia e Dumanit në SPAK

33
0

Nga Fatjona Meidini

Drejtimi i SPAK nga Altin Dumani nuk ishte një rastësi. Ish-prokurori i Krimeve të Rënda kandidoi për këtë pozicion për herë të parë në dhjetor të vitit 2019, në kohën e themelimit të institucionit kryesor të asaj që u quajt ‘drejtësia e re’ në Shqipëri.

Humbja e garës atëherë ndaj kolegut të tij, Arben Kraja, nuk e dekurajoi gjithsesi prokurorin me emër të mirë. Tre vjet më vonë, atëherë 46 vjeç, ai u ul përsëri para kolegëve të Këshillit të Lartë të Prokurorisë për të prezantuar sërish platformën e tij.

Gjatë prezantimit, Dumani theksoi se, në filozofinë e punës së tij, emrat e atyre që hetoheshin nuk kishin asnjë rëndësi; provat ishin të vetmet që kishin rëndësi.

Ai premtoi se, pavarësisht aspekteve burokratike që pozicioni impononte, do të ulej dhe hetonte krah prokurorëve për çështje me rëndësi të veçantë dhe ndikim publik.

Dumani theksoi se kishte 23 vjet eksperiencë në fushën e drejtësisë dhe se kishte pasur disa detyra të rëndësishme në karrierën e tij. Këmbëngulja për t’u zgjedhur si drejtues i SPAK-ut nuk buronte nga dëshira për të pasur një punë të mirë, por për të përmbushur një mision.

Në dhjetor të vitit 2022, kur ai u konfirmua në detyrë, SPAK sapo kishte filluar të ecte me këmbët e tij. Kishte më në fund një godinë, pajisje për hetimet speciale, një strukturë pothuajse të plotësuar prokurorësh dhe, në proces plotësimi, edhe me hetues. Kishte mbështetje ndërkombëtare dhe kishte treguar gjithashtu se mund të godiste lart në sistemin politik. Por pritshmëritë e publikut ishin po aq të larta, të përziera me dyshimin nëse rrjeta e tij do të mund të mbante peshën e aktorëve kryesorë politikë.

SPAK, nën drejtimin e Dumanit, filloi të hetonte çështje që konsideroheshin të paarritshme për drejtësinë, të reja dhe të vjetra. Zyrtarë të lartë dhe emrat kryesorë të politikës në vend, papritmas u shndërruan në vizitorë rutinorë të godinës me xhama blu, para së cilës gazetarët raportonin çdo ditë, duke rendur për t’ju rrëmbyer disa fjali.

Për tre vite, hetimi dhe ndëshkimi i korrupsionit arriti një intensitet dhe një nivel që nuk ishte parë më parë në Shqipëri.

Nga kërkesa për arrestimin e ish-zëvendëskryeministrit Arben Ahmetaj; te arresti në shtëpi i kreut të PD-së, Sali Berisha; te arrestimi i ish-ministrit Ilir Beqja; i ish-presidentit dhe kreut të PL-së, Ilir Meta; ai i deputetit socialist Jurgis Çyrbja; arrestimi i kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj; dhe deri te pezullimi i zëvendëskryeministres dhe ministres Belinda Balluku – pa llogaritur dhjetëra zyrtarë të nivelit të dytë, SPAK-u jo vetëm goditi, por shkaktoi të çara serioze në murin e pandëshkueshmërisë.

Paralelisht, disa nga rrjetet kriminale më të fuqishme shqiptare, që operonin në disa kontinente, po goditeshin me vendosmëri, me theks të veçantë tek hetimet financiare, por edhe lidhjet me zyrtarët në të gjitha nivelet, përfshirë edhe ata brenda radhëve të drejtësisë.

Sot SPAK numëron rreth 80 zyrtarë të hetuar, ku rreth gjysma e tyre janë në proces gjyqësor ose kanë marrë vendim të formës së prerë. Janë goditur mbi 10 organizata kriminale dhe dhjetëra grupe të strukturuara kriminale me shtrirje ndërkombëtare. Sekuestrimi i aseteve të krijuara nga korrupsioni dhe krimi i organizuar po arrin tashmë nivelin e 100 milion eurove.

Gjatë tre viteve në krye të SPAK, Dumani konfirmoi atë që u kishte premtuar kolegëve kur prezantonte platformën e tij: në filozofinë e punës së tij, emrat nuk kishin asnjë rëndësi.

Ai mundej në fakt ta drejtonte prokurorinë nga komoditeti i hetimit të ish-funksionarëve dhe zyrtarëve të nivelit të dytë. Por ai zgjodhi të godiste në zemër të pushtetit dhe të opozitës, rrjetet më të fuqishme kriminale, duke përfshirë edhe kolegë të tij brenda radhëve të drejtësisë.

Dumani mund të kishte zgjedhur të ishte thjesht një drejtues prokurorie, duke shpërndarë në mënyrë të drejtë ngarkesën e punës dhe burimet mes kolegëve, por ai vendosi të ishte një kryeprokuror.

Ashtu siç kishte premtuar në dhjetorin e vitit 2022, ai hetoi përkrah kolegëve në SPAK çështje që i konsideroi me rëndësi.

Kjo u theksua qartë gjatë hetimit për korrupsionin ndaj kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj. Dumani iu bashkëngjit duke hetuar pranë prokurorit të çështjes, në atë që konsiderohet si goditja më e fuqishme që SPAK i ka dhënë pushtetit politik që nga krijimi i tij.

Dumani, gjatë drejtimit të SPAK, i ndihmoi nisjes së një orteku në malin e drejtësisë, i cili tashmë ka rritur masën, zhurmën dhe shpejtësinë.

Në mbyllje të mandatit, Dumani konfirmoi atë që kishte premtuar: se këto tre vite për të nuk ishin thjesht një punë, por një mision.

Fillimisht, një mision për të ndërtuar besimin e qytetarëve te drejtësia. Shpesh flitet për besimin te drejtësia si një “rikthim”, por në realitet ai kurrë nuk ka ekzistuar në Shqipëri. SPAK, nën drejtimin e Dumanit, luajti një rol vendimtar në krijimin e këtij besimi, i cili edhe sot mbetet i brishtë dhe kërkon vite dhe përpjekje të tjera për t’u konsoliduar.

Ai i kontribuoi misionit për të vendosur pushtetin e drejtësisë në ekuilibër me pushtetin ekzekutiv dhe legjislativ. Në vitet e fundit, SPAK ka treguar se drejtësia në Shqipëri mund të mos jetë nënprodukt apo vasale e pushteteve të tjera, por është e aftë të qëndrojë me dinjitet në trekëndëshin kushtetues.

SPAK krijoi një qendër pushteti të rëndësishme përmes pavarësisë që ushtronte dhe vendimeve të forta që merrte—një rol që asnjëherë më parë nuk i ishte rezervuar një institucioni të drejtësisë në Shqipëri. U dashurua dhe u urrye nga mazhoranca dhe opozita me të njëjtin intensitet. Struktura u përgëzua, kundërshtua, e linçua nga politika, por në asnjë moment nuk arritën ta intimidojnë apo dominojnë.

SPAK, në këto vite, kontribuoi në përmirësimin e imazhit të Shqipërisë. Si rezultat i punës së këtij institucioni, pozicioni i vendit është përmirësuar vitet e fundit në çdo indeks dhe raport ndërkombëtar mbi korrupsionin dhe krimin e organizuar. Shpejtësia me të cilën zyrtarët e Brukselit hapën të gjithë kapitujt e negociatave me Shqipërinë u motivua gjerësisht nga rezultatet konkrete të SPAK-ut, si dhe nga balanca e krijuar e pushteteve. Agjencitë e huaja ligjzbatuese gjetën aty një partner të besuar dhe profesional, që u kishte munguar për shkëmbimin e informacionit në luftën kundër krimit të organizuar.

SPAK-u, nën drejtimin e Dumanit, krijoi një trashëgimi të çmuar, jo vetëm për sistemin e drejtësisë, por edhe për rrugëtimin demokratik të Shqipërisë. Koha do të tregojë nëse kjo trashëgimi do të ruhet dhe do të avancohet.

Por përfaqësuesit e drejtësisë tashmë kanë një referencë të mirë: atë të njërit prej tyre që guxoi të përdorte profesionin për të përmbushur një mision.