Rreth 400 libra të rrallë në departamentin e Antikiteteve Egjiptiane të Muzeut të Luvrit janë dëmtuar pas një rrjedhjeje uji muajin e kaluar, duke theksuar gjendjen e amortizuar të muzeut më të vizituar në botë. Incidenti vjen vetëm disa javë pas një vjedhjeje të guximshme të bizhuterive, që nxori në pah mangësitë në siguri.
Sipas portalit La Tribune de l’Art, rrjedhja dyshohet të ketë ardhur nga tubacione të amortizuara, ndërsa departamenti kishte kërkuar prej kohësh fonde për të mbrojtur koleksionin, por pa sukses.
Zëvendësadministratori i Luvrit, Francis Steinbock, deklaroi për BFM TV se rrjedhja ndodhi në njërën nga tre sallat e bibliotekës së Antikiteteve Egjiptiane.
“Deri tani kemi identifikuar mes 300 dhe 400 vepra të prekura; numërimi vijon. Fatmirësisht, të dëmtuara janë librat e përdorur nga egjiptologët, jo botime të çmuara,” tha ai.
Steinbock pranoi gjithashtu se problemi njihej prej vitesh dhe se riparimet janë planifikuar të nisin në shtator 2026.
Muzeu është përballur me sfida të shumta kohët e fundit. Më 19 tetor, katër grabitës u larguan në mes të ditës me bizhuteri me vlerë rreth 102 milionë dollarë, duke zbuluar boshllëqe serioze sigurie. Ndërkohë, në nëntor, dobësitë strukturore çuan në mbylljen e pjesshme të një galerie që strehon vazo greke dhe disa zyra.
Një raport i publikuar në tetor nga organi publik francez i auditimit, Cour des Comptes, theksoi se pamundësia e Luvrit për të përditësuar infrastrukturën e tij është përkeqësuar nga shpenzimet e tepërta për blerje veprash arti.







